
Dejona Mihali ia mori kohën e pauzës ministrit të Kulturës, Hajrulla Çekut, të enjten.
Koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje dhe ministri Çeku u takuan mesditën e sotme në një restorant të Prishtinës, tregon një fotografi të cilën e ka siguruar Paparaci.
Mihali, e përfolur javën e shkuar u intervistimin në Prokurorinë Speciale në cilësinë e dëshmitares për dy raste penale në të cilën janë përfshirë njerëz të lidhur me Vetëvendosjen, konsiderohet si një nga eksponentët më të pushtetshëm të partisë në pushtet.
Siç ka raportuar Paparaci të premten e javës së kaluar, Mihali është marrë në pyetje nga prokurorët dhe hetuesit policorë nën dyshimin se ishte në dijeni rreth tenderëve për të cilët po hetohet ish-kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi.
Sipas burimeve të portalit brenda organit të akuzës, Mihali po ashtu është pyetur për një rast penal për të cilin është nën hetime Faruk Mujka, kryeshef i ndërmarrjes “Ibër-Lepenci”.
Dejona Mihali është pjesë e të ashtuquajturit “Grup i Tiranës” në Lëvizjen Vetëvendosje. Pjesë e këtij grupi janë eksponentë në zë në LVV, të cilat kanë prejardhje nga Shqipëria. Aty bëjnë pjesë ish këshilltarët e kryeministrit Albin Kurti: Elvis Hoxha dhe Hysamedin Feraj.












