Gjatë ditës së djeshme u publikua një audio-inçizim ndërmjet Shefes së GP të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila dhe Milan Radojiçiq.Sipas inçzimit të njëjtit po koordinoheshin për votimin e Ligjit për Pagën Minimale.
Në lidhje me këtë audio të publikuar ka folur për “Gazeta Blic” deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi. Bytyqi tha se ajo çfarë është parë, është një skandal, që po thellohet çdoherë e më shumë.
Deputetja e AAK-së tha se tashmë po kuptohet saktë kush me kë bashkëpunon.“Ajo çka kemi pa këto ditë, realisht asgjë e re nuk është përveçse një skandal që po thellohet çdoherë e më shumë dhe po kuptohet saktë se kush po na udhëheq dhe kush me kë po bashkëpunon. Me thënë që është fabrikuar diçka që po kuptohet shumë lehtë, këtë mund ta bëjë veç Mimoza Kusari dhe partia në pushtet e madje të deklarojnë se kjo është një luftë hibride që po i bëhet qeverisë” tha Bytyqi për “Gazeta Blic”
Ajo tha se tashmë është koha që me 9 shkurt qytetarët t’i dënojnë mashtruesit.“Sidoqoftë, është mirë që përfundimisht qytetarët ta kuptojnë se kujt i kanë besuar dhe se është koha që më 9 shkurt t’i dënojnë mashtruesit, pra Vetëvendosjen që kurrë më të mos vij në pushtet” tha Bytyqi në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”
Gjatë ditës së sotme Shefja e GP të LVV-së, Kusari-Lila, mohoi se ka biseduar me Radojiçiq duke thënë se video në fjalë është e montuar.













