Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, e ka quajtur dështim të hallkës shtetërore situatën me ushqimin e ushtarëve të FSK-së.
Ai në një prononcim për Gazeta Blic, ka thënë se procedurat nuk janë të rëndësishme por se si ka ardhur deri te kjo situatë, teksa e ka quajtur paaftësi totale të VV-së për të qeverisur, ose sipas tij dikush ka qëllime të mbrapshta.
“Dështim i krejt hallkës shtetërore, presidentja si garantë e funksionimit kushtetues ka dështuar që të mos vie çështja deri këtu, po ashtu ministri ka dështuar, kryeministri dhe normal që dikur gjenerali ose komandanti i forcave reagon, thotë: “hej, ne s’mund të zhvillojmë asnjë aktivitet ushtarak sepse s’kemi buke me hëngër”.
Problemi është si kemi ardhur në këtë situatë, nuk na interesojnë procedurat, këto janë krejt kompetenca të qeverisë, të ministrit, nëse ata nuk e kanë zhvilluar me kohë këtë, kjo është e tmerrshme. Nuk guxojnë assesi institucionet vitale të vendit të vijnë në këtë stad e të bëhet temë diskutimi a kanë bukë apo jo, a kanë çizme, kjo është e papranueshme, kjo e shpërfaq paaftësinë totale për të qeverisur me vendin, ose ka dikush qëllime të mbrapshta, ta vendos Kosovën në planin ndërkombëtar në pozitën më të rëndë të mundshme, sidomos armiqtë tanë të thonë “po këta s’kanë bukë me hëngër, e lëre më ta mbrojnë veten”, ka theksuar Selmanaj.












