Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për tubimet që po mban me mërgatën në diasporë, raporton Gazeta Blic.Ai në një prononcim për Gazeta Blic, i ka quajtur këto tubime kinemaski, showbiz dhe se Kurti e ka fyer diasporën.
“I ka mobilizuar krejt konsullata, ambasada, kanë punuar gjatë e pastaj kanë shkuar atje, është kinemaski gjithë kjo, showbiz. Do të ishte gjithçka në rregull sikur t’ua thoshte të vërtetën, p.sh.: Kurti nuk u tregoi atyre që i ka lënë ushtarët pa bukë, pa veshmbathje, pa uniforma, pra imagjinojeni. Është një mashtrim, një fyerje e mërgatës, pra ky nuk i respekton ata, s’ju ka shkuar katër vjet por vetëm tash pasi janë zgjedhjet ju shkoi por nuk besoj se do të mbërrijë t’i mashtrojë më”, ka theksuar Haradinaj.
Por, ai thotë se mërgata po i di të gjitha mashtrimet e Qeverisë dhe nuk do ta përkrahin më në zgjedhjet e 9 shkurtit.“Këta po mundohen ta dëshmojnë një përkrahje, por nuk e kanë më përkrahjen e diasporës, edhe ata e dinë se në çfarë situate është Kosova, si i ka trajtuar Kurti policët, administratën, mjekët, ushtarët, profesorët, sindikatat e ndryshme, pensionistët, si e ka bashkuar votën me Listën Serbe kundër veteranëve, të gjitha këto janë lajme që po i di edhe diaspora”, ka thënë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.












