Deputetja e VV-së Doarsa Kica Xhelili, e ka tepruar me postimin e saj të fundit në facebook, ku ka uruar presidenten Vjosa Osmani në Ditën e Presidentit duke thënë se ajo po shkruan historinë dhe se për të duhet ngritur edhe në këmbë.
Ajo e ka lartësuar Osmanin dhe është shprehur e lumtur që presidenten Osmani e njeh nga afër dhe para se ta marrë pozitën e shefes së shtetit.
“Jo rëndom qëllon që njerëzit e njohin nga afër Presidentin apo Presidenten e tyre. Natyrshëm, Vjosa, duke qenë ajo që është, nuk përkon shumë me idenë e të bërit të gjërave ashtu që ato të jenë të pranueshme për masën domosdoshmërisht. Vjosa, duke qenë sikurse është, i bën gjërat asisoji që ajo është e bindur se i shërbejnë zhvillimit të vendit, pavarësisht gjykimit eventual të masës, por gjithmonë duke i shërbyer masës”, ka shkruar ajo.
Deputetja nuk është ndalur më kaq pasi ka vazhduar të thurr lavde për Vjosa Osmanin duke thënë se ajo të bënë të ngritesh në këmbë për punën e saj e madje sipas saj presidentja po shkruan historinë.
“Prandaj Vjosa edhe mund të sulmohet. Prandaj me Vjosën edhe mund të mos pajtohen të gjithë. Por, për arsyet e njëjta, Vjosa nuk mund të injorohet – as brenda, as jashtë. Vjosa punon shumë teksa shkruan historinë e shpërfaqjes së një Kosove ku për Presidentin ngritesh në këmbë, jo për arsye institucionale, jo për arsye protokolare, por për arsye të ndjesisë së përfaqësimit dinjitoz që ky vend sot e ka, për shkak të saj, e që nuk e mbaj në mend ta kem ndjerë pas 21 janarit të vitit 2006. Vjosa, Presidentja jonë, Urime dita yte e merituar”, tha ajo.
Ngjashëm para disa javësh kishte vepruar edhe Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja por ai për dallim nga deputetja i ishte servilosur kryeministrit Kurti. Muja kishte quar në “qiell” punën e shefit të tij duke postuar në facebook se Albin Kurti është kryeministri me shkallën më të lartë të knaqshmërisë nga matjet e opinionit publik për punën e kryeministrit.













