Dhoma e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë të kësaj gjykate, e cila kishte refuzuar padinë e ish-kolegjit “Juridica” ndaj Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) për mos-riakreditimin e disa programeve.
“Refuzohet si e pabazuar ankesa e paditësit Kolegji Evropian “Juridica” ShPK me seli në Prishtinë, e datës 29.04.2024 ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Komerciale-Dhomat e Shkallës së Parë, Departamenti për Çështje Administrative… të datës 27.03/2024”, thuhet në vendimin që ka siguruar “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, në vendim thuhet se brenda afatit ligjore kishte ushtruar ankesë pala paditëse Kolegji “Juridica”, për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që çështja të kthehet në rivendosje.
Në vendim, thuhet se Dhoma e Shkallës së Dytë e ka gjetur tërësisht si të bazuar në ligj vendimin e Dhomave të Shkallës së Parë, për arsye se aktgjykimi i ankimuar nuk është përfshirë në shkelje qenësore të dispozitave të Ligjit për Konfliktet Administrative.
Po ashtu, në vendim thuhet se në drejtim të thënieve në padi, përgjigjes në padi, provave të administruara në seancë gjyqësore, si dhe pas shqyrtimit të shkresave të tjera të lëndës, shkalla e parë me të drejtë ka konstatuar se kërkesëpadia e paditësit është e pabazuar.
Kurse, pretendimet e paditësit- Kolegjit “Juridica” se në vendimin e Shkallës së Parë nuk janë përfshirë sqarime lidhur me pretendimet e ngritura si në padi dhe as lidhur me provat edhe pse ishin administruar, sipas Shkallës së Dytë nuk qëndrojnë.
Sipas Shkallës së Dytë të Komerciales, padia është shqyrtuar, është dërguar për përgjigje në padi te pala e paditur, ka caktuar seancën e shqyrtimit kryesor, ka nxjerrë prova të mjaftueshme, prandaj nuk ka shkelje të dispozitave të Ligjit për Konfliktin Administrativ dhe atij të Procedurës Kontestimore.
Të pabazuar, Shkalla e Dytë e ka gjetur edhe pretendimin se Shkalla e Parë ka konstatuar tërësisht në mënyrë të gabuar faktin se i padituri “Komisioni i Ankesave” ka pasur kompetencë ligjore për të vendosur për ankesën e paditësit, e që sipas palës paditëse për këtë rrethanë Shkalla e Parë ka përdorur standard të dyfishtë.
Sipas palës së paditëse, Shkalla e Parë nuk ka shqyrtuar fare faktin nëse Komisioni i ankesave si organ brenda për brenda palës së paditur ka pasur kompetencë ligjore për të shqyrtuar ankesën e bërë nga pala paditëse Kolegjit “Juridica”.
Mirëpo, pretendimi i tillë sipas Shkallës së Dytë është i pabazuar pasi që Agjencioni i Akreditimit bazuar në Udhëzimin Administrativ 15/2018 ka pasur të drejtë të monitorimit të kontrollit të cilësisë së institucioneve të akredituara në çdo kohë pa paralajmërim dhe se në çdo kohë të tërheq vendimin e tyre për akreditim nëse kushte janë shkelur nga institucioni akredituar.
Gjithashtu, sipas kësaj Shkalle, thuhet se referuar Ligjit për Agjencinë e Kosovës për Akreditim, saktësisht përcaktohet se pala e pakënaqur ndaj vendimit nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë, mund t’i drejtohet gjykatës përmes padisë.
Andaj, edhe kjo Shkallë ka vlerësuar se në vendimin e Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale është aplikuar drejt e drejta materiale dhe se nuk është shkelur ligji në dëm të paditësit.
Të pabazuar, Shkalla e Dytë e Komerciales e ka gjetur edhe pretendimin tjetër të paditësit se me vendimin e Shkallës së Parë janë anashkaluar në tërësi dispozitat e të drejtës materiale si dhe parimet e drejtësisë.
Kjo pasi që sipas Shkallës së dytë, vendimi i marrë është i qartë dhe i kuptueshëm dhe përmban arsye të mjaftueshme për faktet vendimtare të cilat i pranon edhe Dhoma e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale.
Ndryshe, në padinë e “Juridica” thuhet se Këshilli Shtetëror i Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (KSHC), në mbledhjen e mbajtur më 15 dhe 16 janar 2019, ka vepruar në mënyrë selektive në raport me Kolegjin Evropian “Juridica”.
Sipas padisë, thuhet se përderisa për disa institucione tjera të arsimit të lartë, KSHC ka lejuar që të kenë bartës të programeve – staf akademik me profile të kundërta, njëjtë nuk ka vepruar edhe me këtë kolegj duke vepruar në mënyrë selektive ndaj këtij të fundit dhe duke ia refuzuar dhe tërhequr 3 programe të studimit bachelor.
Tutje, paditësi në padi ka thënë se KSHC në mbledhjen e njëjtë të mbajtur në janar 2019 i ka tërhequr me dhjetëra programe të studimit nga universitetet publike në Republikën e Kosovës, për mungesë të stafit adekuat që nuk e kanë plotësuar kushtin me Dr.Sc, të profilit të kërkuar sipas programit të studimit.
Sipas padisë, kundër vendimit të lartcekur, universitetet publike kanë paraqitur ankesa e të cilat paditësi thotë se i ka shqyrtuar vetë KSHC e jo shkalla e dytë, duke i rikthyer të gjitha programet e tërhequra nga institucionet publike universitare, pa i dërguar fare në organin e shkallës së dytë.
Tutje, sipas padisë, ankesat kundër këtij vendimi në vend se t’i shqyrtojë organi i shkallës së dytë – Komisioni i Ankesave, këto ankesa i rishqyrton përsëri organi i shkallës së parë – Këshilli Shtetëror i Cilësisë dhe tani sjellë vendim të kundërt me vendimin e parë të sjellë për të njëjtën çështje.
Andaj, mbi këtë bazë, paditësi konform Ligjit mbi Konfliktin Administrativ po kërkon kompensimin e dëmit të pësuar material dhe jomaterial.
Gjithnjë sipas padisë, me vendimet e tilla, AKA (KSHC dhe Komisioni i Ankesave) ka shkaktuar dëme të pariparueshme materiale dhe jomateriale ndaj paditësit Kolegjit Evropian “Juridica”, stafit të tij menaxherial dhe pronarëve të subjektit të tillë juridik.
Gjithashtu, në padi kërkohet që përmes aktgjykimit, Gjykata të bëjë anulim të vendimeve të KSHC-së, të datës 22 shkurt 2019 dhe vendimin e datës 28 mars 2019 të Komisionit të Ankesave të Agjencisë së Kosovës për Akreditim. /BetimipërDrejtësi