Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj është shprehur se “diktatura brina nuk ka” kur ka folur për gjetjen e pajisjes gjurmuese në veturën e gazetarit Vehbi Kajtazi.
Ai ka thënë se diktaturat kanë nisur kështu dhe se fundi ka qenë gjithmonë me pasoja tragjike për shoqëritë e tilla.
“Duhet në mënyrë urgjente, njësitet hetuese të policisë dhe forenzikes ta konfirmojnë se kush është blerësi dhe poseduesi i paisjes përgjuese të gjetur në makinën e gazetarit Vehbi Kajtazi”, ka shkruar Selmanaj.
“Nëse kjo konfirmohet, atëherë dorëheqja dhe përgjegjësia penale e Shefit dhe Kryeinspektorit të AKI-së, është më se urgjente”, ka shkruar ai.
Ai ka bërë thirrje për hetime të thella nga Prokuroria Speciale, duke mos përjashtuar edhe nivelin politikë.
“Përgjimi dhe internimi përmes mjeteve parapolitike janë metoda të vendeve me logjikë jo demokratike, bolshevike dhe diktatoriale! Siguria individuale dhe demokracia jonë janë në rrezik serioz nga logjika diktatoriale e Albin Kurtit”, ka shkruar deputeti Selmanaj.