6 të arrestuar për fajde në Prizren e Suharekë, 3 të arrestuar për narkotikë, 1 për arsenal armësh, municion e uniforma në Leposaviq e disa arrestime të personave që ishin në kërkim.
Ky është bilanci i një pune të mirë e të jashtëzakonshme të Policisë së Kosovës vetëm në dy ditët e fundit.
E lidhur më këtë ka reaguar edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ai ka thënë se është mirënjohës secilit pjesëtar policor që me përkushtim e profesionalizëm angazhohet kudo në Kosovë.
‘’I jam mirënjohës secilit pjesëtar policor që me përkushtim e profesionalizëm angazhohet kudo në Republikën tonë për sundim të rendit e ligjit duke bërë të mundur që qytetarët tanë të jetojnë, punojnë e zhvillohen të lirë e të sigurtë dhe larg fenomeneve kriminale që rrezikojnë jetën e tyre. Aksionet e fundit kanë dëshmuar sukses edhe falë bashkëpunimit të qytetarëve me Policinë e Kosovës dhe inkurajoj në vazhdimësi një aktivizëm të tillë shoqëror’’, ka thënë Sveçla.