Pritje pa fund në kontrollet e sigurisë, fluturime të anuluara. Para sezonit të verës dega e fluturimeve duket në limitet e saj. Cilat janë arsyet dhe si është perspektiva për sezonin e verës?
Vera po vjen dhe me të edhe dëshira për udhëtime e pushime. As inflacioni dhe zërat pesimistë pas rritjes së çmimeve javët e fundit nuk e kanë thyer dëshirën e gjermanëve për udhëtime. Operatorët turistikë gjermanë bëjnë të ditur se ka një rritje të madhe të prenotimeve për verën në prag, rritje madje që ka kaluar edhe nivelin e prenotimeve në periudhën para Coronës. Koncerni turistik, TUI bën të ditur, se të “uriturit” për diell janë gati të paguajnë edhe çmime më të larta për javët më të bukura të vitit. Po ashtu edhe prenotimet e pushimeve të gjata apo hoteleve luksoze kanë shënuar rritje. Për prenotimet në fuqi koncernet aktuale turistike nuk do të bëjnë rritje çmimesh shtesë, për shkak të rritjes së çmimit të kerozinës. “Pushimet këtë vit duket se janë lart në listën e dëshirave të gjermanëve, pasi një kohë u desh të hiqnin dorë. Madje as rritja e çmimit të energjisë dhe inflacioni në rritje nuk e presin këtë hov”, thotë Norbert Fiebig, president i Shoqatës Gjermane të Udhëtimit, DRV.
Niederlande I Flughafen SchipholPara pushimit skalitje e durimit
Por gëzimi i pushuesve dhe ai i shoqërive të fluturimit për rritjen e numrit të fluturimeve zbehet nga radhët e gjata në shumë aeroporte europiane.
Përballë numrit të lartë të njerëzve që duan të pushojnë qëndron një numër i vogël personeli. Ka muaj që kjo mungesë personeli po shkakton kaos në disa aeroporte në Gjermani dhe vende të tjera të Europës.
Në Hanover psh të prekur janë udhëtarët që marrin fluturimet e vona të natës në drejtim të Turqisë dhe Greqisë dhe destinacioneve të tjera në Mesdhe.
Shpesh ata përballen me radhë jashtëzakonisht të gjata në check-in apo kontrollet e sigurisë. Edhe në aeroportet në landin NRW gjendja nuk është më e mirë. Pjesërisht janë krijuar radhë deri në 300m të gjata, shkruan portali gjerman “Redaktionsnetzwerk”, RND.
Prej javësh lufton me probleme të mungesës së personelit edhe aeroporti Schiphol, Amsterdam ku udhëtarët është dashur të presin deri në tre orë para kontrolleve të sigurisë, me radhë që dilnin deri në rrugë. Për këtë arsye Shoqëria e fluturimit, KLM ka reduktuar në mënyrë të ndjeshme shitjen e biletave. Vetëm biletat e shtrenjta janë të disponueshme, ka bërë të ditur një zëdhënës.
Radhë të tilla shumë të gjata janë parë sidomos në aeroportet britanike. Shoqëria e fluturimit Easyjet për dy javët e ardhshme ka anuluar 200 fluturime. Kjo është e nevojshme, për të mundësuar shërbimin e duhur, është shprehur Easyjet. Deri në 6 qershor do të preken nga ky anulim 24 fluturime në aeroportin Gatwick, shkruan dpa. Edhe British Airway ka anuluar nga prilli 1400 fluturime.













