
Një 30-vjeçar serb e ka zënë sherri me Policinë, dje në orët e mbrëmjes, në rrugën nacionale në Vushtrri, pasi është prezantuar si person zyrtar. Para policëve të trafikut ai u prezantua si pjesëtar i FSK-së.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se personi i cili u shoqërua në stacion policor, është Marko Miladinoviq.
Kujtojmë se, Policia ka kontrolluar edhe bagazhin e veturës së Miladinoviq, ku ka gjetur disa helmeta të punës, në të cilat ishte e shkruar “Z”, e cila tashmë është bërë e njohur pasi që të njëjtën e mbajnë në automjetet ushtarake forcat ruse në Ukrainë.
Këto pajisje më pas janë konfiskuar bashkë me kartelën e FSK-së të prezantuar nga i dyshuari.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit ndaj Miladinoviq është iniciuar rasti “Prezantim i rremë si person zyrtar”.












