Ishte viti 2019. Blerim Gashani mendonte se “Kosova do t’ia shoh sherrin Lëvizjes Vetëvendosje” dhe Albin Kurtit.
Këtë prognozë, tash zëvendësministri i Punëve të Brendshme e argumenton në një libër të emërtuar “Kronikë e rrënimit të Kosovës, të botuar në vitin 2020.
Argumentimi i Gashanit që e shihte Lëvizjen Vetëvendosje si një formacion politik të rrezikshëm për Kosovën, bazohet kryesisht në figurën e Albin Kurtit, aktualisht shefit të tij në qeveri.
Derisa e komenton një deklaratë akuzuese të Kadri Veselit ndaj Albin Kurtit, Gashani pothuajse i fut të dy figura në një thes. Thotë se është fakt që Kadri Veseli dhe partia e tij, PDK-ja, e kanë shkatërruar Kosovën dhe prognozon se edhe Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje mund ta bëjnë të njëjtën gjë.

“Kur Kadri Veseli i thotë Albin Kurtit: ‘Kosova sherrin ka me jau pa’, këtë parashikim duhet ta shikojmë ngadal dhe me qetësi. Kryetari i PDK-së po i thotë kryetarit të VV-së (e di bre, se formalisht është një kryetar tjetër aty, por ky është sendi ma qesharak, pas shitjes së banesës ‘për ta ndihmuar çAshtjen’…), se Kosova duhet t’ua sheh sherrin atij dhe lëvizjes së tij, d.m.th. VV-së”, shkruan Gashani në librin e tij “Kronikë e rrënimit të Kosovës”.
Më tej, ai thotë se kjo është një prognozë e Veselit, jo një fakt.

“Për shkak se krejt ky impakt/sherr po mendohet se Kosovës do t’i ndodhë në të ardhmen, ky pohim i Veselit mund të karakterizohet si parashikim, prognozë, profeci, jo si argument, e Zoti na ruaj, jo si fakt”, vazhdon Gashani.
Derisa i bën një digresion deklarimit të Veselit, Gashani lëshohet në interpretimin e tij se Kosova do t’ia shohë sherrin Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes.
“Digresion: Po, edhe unë mendoj se Kosova do t’ia sheh sherrin VV-së dhe Albinit, por ky nuk është fakt. Për shkak të ideologjisë, frymës së partisë, organizimit, strukturës – madje edhe emërtimeve të organeve – rigjiditetit, të vërtetave absolute, dhunës verbale dhe fizike dhe veçanërisht kultit të personalitetit që Kurti ka ndërtuar për vete dhe për vartësit, unë MENDOJ se Kosova do t’ia sheh sherrin kësaj partie (dhe, shkruane diku se mund të flasim pastaj)”, shkruan Gashani.
“Por ky nuk është FAKT. Mund të ndodhë, mund të mos ndodhë, mund të ndodhë pjesërisht, mund të modifikohet… d.m.th. ky është një parashikim, një prognozë. Në anën tjetër, ai që po e jep, në parlament, këtë prognozë është udhëheqës i një formacioni (nuk e thashë partie, se është më e gjerë sesa një parti…), që tashmë e ka shkatërru Kosovën. Dhe, ky është FAKT”.
Tutje, gjatë këtij kapitulli të librit, Gashani e akuzon Kadri Veselin për vrasje të shpresës në Kosovë.
“Kadri Veseli, me partinë e vet, të cilën ngadalë por sigurt, po e shkatërron, jo vetëm e ka gënjyer Kosovën, e ka vjedhë, e ka korruptuar, e ka privatizuar, e ka stagnuar, e ka shkatërruar moralisht e në të gjitha aspektet, po ari e shokët e tij e kanë vrarë Kosovën. Dhje, jo vetëm kaq. Kadri Veseli me bandën e vet, ka bërë një krim edhe më të madh. E ka vrarë SHPRESËN, shpresën për ta bërë Kosovën. E ka vrarë Shpresën se Kosova normale, e lirë, e pavarur dhe e zhbilluar është e mundshme”, shkruan zëvëndësministri.











