Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca sot ka mbajtur një fjalim në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore që po mbahet në Greqi, ai aty kërkoi njohjen e pavarësisë së Kosovës, gjithashtu Konjufca shtoi se për tu përballur me pasojat e luftës së Rusisë në Ukrainë, rajoni i Ballkanit Perëndimorë duhet të bashkëpunoj ngusht mes vete.
Ai tha se bashkëpunimi me aleatët perëndimorë mbron këtë rajon që të jetë stabil.
“Me një partneritet të palëkundur me NATO-n dhe SHBA-në, ne mund të mbrojmë rajonin tonë nga kërcënimet serioze destabilizuese që mund të kenë për synim të shkaktojnë ndryshime thelbësore në rendin ndërkombëtar”, u shpreh ai.
Konjufca më tutje para pjesmarrësve në këtë forum tha se vet njohja e pavarsisë së Kosovës është një investim strategjik, ndër të tjera ai u kërkoi të pranishmëve që të mbështesin liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Mbështetja e të gjithëve, e paraprirë nga njohja e Kosovës, duhet parë si një investim strategjik për të ardhmen, si një hap i domosdoshëm për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit por edhe për zhvillimin tonë të përbashkët”. Prandaj dëshirojmë t’ju ftojmë ju dhe qeverinë tuaj që të mbështetni përpjekjet e Kosovës për liberalizimin e vizave, anëtarësimin në Këshillin e Evropës, statusin e kandidatit në BE, anëtarësimin në NATO dhe anëtarësimin në mekanizma të tjerë ndërkombëtarë”, tha ai.
Ai nuk la pa përmendur edhe luftën në Ukrainë e cila ka ndikuar edhe në jetën e përditshme të qytetarëve të këtij rajoni, sipas tij lufta atje ka ndikuar që shumë produkte përfshirë energjinë elektrike të pësojnë rritje të çmimit.
“Pikërisht tani që ekonomitë e rajonit tonë ishin duke u gjallëruar, lufta në Ukrainë e tronditi gjithë rajonin, kryesisht nëpërmjet çmimeve më të larta të energjisë dhe ushqimeve, por edhe nëpërmjet ndërprerjes së flukseve të tregtisë dhe investimeve. Le të mos harrojmë se rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve pritet të rëndojë shumë familjet me të ardhura të ulëta, të cilat tani po shpenzojnë një pjesë shumë më të madhe të të ardhurave të tyre për nevojat bazike siç është ushqimi dhe ngrohja”, tha Konjufca.
Kreu i Kuvendit të Kosovës u kërkoi atyre bashkëpunim me qëllim tejkalimin sa më lehtë të këtyre sfidave.
“Ne duhet t’i harmonizojmë plotësisht politikat tona të jashtme me Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë sanksionet dhe duhet të jemi të vendosur me qëllimet tona”, u shpreh ai.
Konjufca nuk la pa përmendur se Kosova ka strehuar mijëra refugjatë afganë, si dhe disa gazetarë nga Ukraina.
“Republika e Kosovës ka qenë aleate dhe partnere e BE-së dhe e Shteteve të Bashkuara. Vitin e kaluar Kosova strehoi më shumë se 1300 afganë të evakuuar, duke treguar solidaritet me refugjatët dhe përkushtimin afatgjatë të Kosovës ndaj NATO-s.
Për më tepër, rreshtimi i Kosovës me politikën e jashtme të BE-së në sanksionet kundër Rusisë dhe gatishmëria e saj për të akomoduar 5000 refugjatë ukrainas dhe për të ofruar kushte jetese dhe pune për 20 gazetarë është edhe një herë shenjë e rreshtimit të politikës së jashtme dhe përkushtimit ndaj integrimit në BE, standardeve dhe vlerave”, tha ai.
Kryeparlamentari kosovar ripotencoi se Kosova aspiron për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian, dhe se ajo çka është më se e nevojshme tani për tani, është liberalizimi i vizave për qytetarët e vendit.
“E ardhmja e rajonit të Ballkanit Perëndimor është në BE dhe ne kërkojmë të bëhemi anëtarë të Bashkimit Evropian, prandaj preferojmë të ndjekim një rrugë të qartë dhe të ecim përpara. Megjithatë, Kosova po përballet me një sfidë tjetër.
Ne jemi i vetmi vend në rajon, ku qytetarët tanë ende kanë nevojë për vizë për të udhëtuar në Evropë. Që nga viti 2018, Komisioni Evropian disa herë ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për të udhëtuar pa viza, dhe Parlamenti Evropian dy herë ka bërë thirrje për liberalizimin e vizave përmes rezolutave të miratuara nga shumica dërrmuese. Edhe pas kaq vitesh që i kemi përmbushur gjitha kërkesat, ne ende nuk e shohim dritën në fund të tunelit”, u shpreh ndër të tjera ai.













