Richard Grenell tashmë zyrtarisht u enlistua nga Donald Trump si njeriu i tij për t’u marrë me “pikat e nxehta” anembanë botës: përfshirë edhe me vende si Koreja Veriore.
Në fushatën presidenciale të Donald Trump – dy ditë para se ky i fundit të merrte plebishitin amerikan për të udhëhequr, Grenell po mbante tubime anekënd ShBA-së për të bindur njerëzit për besimin që duhej dhënë Trump.
Do t’u tregonte të tubuarve për rreziqet që po i kanosen botës, e cila, sipas tij, po rrëshqet në shpërthim luftërash të reja potenciale.
E këtu u ndal aty ku “e kam më për zemër…Ballkanin”.
Kamala Harris, thoshte ai, është duke e injoruar krejtësisht.
“Dhe është gati (Ballkani) të shpërthejë në luftë”.
“Ne duhet të bëjmë punët e rënda, të takohemi me njerëzit, të dëgjojmë dhe të punojmë për paqe“.
“Diplomacia është e vështirë, por kur dëgjoni ‘Paqe Përmes Forcës’, kjo është një festim i Departamentit të Shtetit dhe diplomacisë, është fitore për paqe, e jo fitore e Pentagonit, se ata pretendojnë që fitorja e tyre është ‘Paqja përmes Forcës’, por është fitore e diplomacisë”, tha Grenell.
Këtu Grenell – interpretativisht – po ia përshkruante vetes “diplomacinë fitimtare”.
Agjencioni ndërkombëtar i lajmeve “Reuters” shkroi duke cituar burime të veta se “tensionet në Ballkan” do të jenë fokus i Richard Grenell.
Grenell sytë i kishte te posti i kryediplomatit amerikan
Qysh në maj, New York Times, do të raportonte se Grenell thuajse me mish-e-shpirt ishte investuar që të kapte postin e Sekretarit të Shtetit.
Kjo pozitë, megjithatë, i shkoi Marco Rubio-s.
NYT në maj të këtij viti shkruante se Grenell “privatisht në disa raste” u ka kumtuar kolegëve nga ish-adminstrata Trump se “pozita e Sekretarit të Shtetit i është premtuar”.
“Nëse doni t’i shmangeni luftës, bën mirë ta keni një bir bushtre Sekretar të Shtetit”, kishte thënë vetë Grenell në një PodCast.
Por, tashmë te çështja e “shmangieve të luftërave” del të ketë mbërrirë në fund të fundit.
Donald Trump, dje zyrtarisht njoftoi se e ka emëruar për emisar presidencial për “misione të posaçme”.
Në rishpërndarje të urimeve në “X” Richard Grenell ndau një vlerësim për të – e që lexohet të jetë njëfarë paramendimi për paralelizëm sekretari shteti.
“Richard Grenell do të sigurojë që Departamenti i Shtetit po vazhdon/kryen agjendën politike të Presidentit Trump”, është urimi ndaj tij që Grenell e shpërndau.
“Të punoj në emër të popullit amerikan për Donald Trump është nder i jetës sime”, ka shkruar Grenell duke rishpërndarë komunikatën e emërimit të tij.
“Presidenti Trump është problem-zgjidhës që i mban ameirikanët të sigurt e prosperoz. Aq shumë punë kemi për të bërë. T’ia nisim punës”, ka shkruar Grenell.
Në rishpërndarjet e urimeve ndaj tij shkruhet gjithëfarë lavdesh.
“Kudo që ka konflikte për t’u neutralizuar dhe të sjellë paqe”, ishte njëra ndër postimet që shpërndau për veten.
“Njeriu i Trump-it për misione të veçanta”.
Postimi i Donald Trump:
Kam kënaqësinë të shpall Richard Allen Grenell si Të Dërguar Presidencial për Misionet Speciale. Ric do të punojë në disa nga pikat më të nxehta në mbarë botën, duke përfshirë Venezuelën dhe Korenë e Veriut.
Në mandatin tim të parë, Ric ishte ambasador i Shteteve të Bashkuara në Gjermani, ushtrues detyre i drejtorit të Inteligjencës Kombëtare dhe i dërguari presidencial për negociatat Kosovë-Serbi. Më parë, ai kaloi tetë vjet brenda Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke punuar me Korenë e Veriut dhe zhvillimet në shumë vende të tjera.
Ric ka një B.A. nga Kolegji Evangel dhe një M.P.A nga Harvard. Ric do të vazhdojë të luftojë për paqen përmes forcës dhe do të vendosë gjithmonë AMERIKËN TË PARË.
Urime Ric!