Policia e Kosovës para dy dite ka pranuar një fletarrest ndërkombëtar nga autoritetet e sigurisë së Maqedonisë së Veriut lidhur me ish-zëvendëskryeministrin e këtij shteti, Artan Grubin. Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë detaje ekskluzive se për çka organi akuzues në Maqedoni po e kërkon ish-funksionarin e BDI’së.
Në dosjen të cilën e ka siguruar ekskluzivisht Insajderi, autoritetet maqedonase akuzojnë Artan Gurbin se si ministër për sistemin politik në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut ka tentuar të mbulojë veprën penale të Përparim Bajramit dhe të miratojë të drejtën për organizimin e lojërave të fatit në forma elektronike.
“Grubi A., në detyrën e tij si ministër për sistemin politik dhe marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve, me qëllim të mbulimit të veprës penale të kryer nga Bajrami P., ka marrë miratimin nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut për Lotarinë Shtetërore për të fituar të drejtën për organizimin e lojërave të fatit elektronik dhe internet”, thuhet ndër të tjera në dosje.
Çka thotë dosja për Përparim Bajramin?
“Gjatë vitit 2023 Përparim Bajrami si kryetar i bordit drejtues të Lotarisë Shtetërore të Maqedonisë së Veriut ka paraqitur në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut kërkesën për nevojën e ndërmarrjes së aktiviteteve për organizimin e pavarur të lojërave elektronike të fatit nga Lotaria Shtetërore, edhe pse nuk kanë të drejtë, sepse e drejta e organizimit të lojërave të fatit elektronike dhe në internet tashmë ishte dhënë, si një kontribut jomonetar në Shoqërinë për organizimin e lojërave të fatit shtetëror. video-llotaria në Maqedoninë e Veriut për Casinos Austria në vitin 2013 e vlefshme deri në vitin 2028”.
Aty thuhet se, pas kësaj, “është shpallur tenderi publik për blerjen e terminaleve të videollotarisë për organizimin e lojërave të fatit, në të cilin janë personat juridikë në vijim: përzgjedhur “Euro games technology” Sofje, Republika e Bullgarisë, “Euro Games Technology” DOOEL Shkup dhe “Synot w a.s” Republika Çeke”.
Sipas dosjes, Bajrami me ndihmën e Grubi Artanit parashihte prokurimin e terminaleve për video lotari në vlerë prej 615.000.000,00 denarë (10 milionë euro) dhe u mundësoi disa bizneseve dobi pasurore.
“Me të lartpërmendurin Bajrami me ndihmën e Artan Grubit është paraparë blerja e terminaleve të videollotarisë në vlerë prej 615.000.000 dinarë (10 milionë euro) dhe ka mundësuar operatorët ekonomikë që në mënyrë të kundërligjshme të përfitojnë në dëm të Lotarisë Shtetërore. Nga kjo përfituan personat juridik ‘Euro games technology Sofje’, Republika e Bullgarisë, ‘Euro Games Technology DOOEL’, Shkup dhe ‘Synot w a.s’, Republika Çeke. Me të lartpërmendurat kanë dëmtuar buxhetin me një shumë të konsiderueshme“, përfundon dosja.
Ai po akuzohet për veprën penale “përvetësim në shërbim”. Në bazë të dosjes të cilën e ka parë ekskluzivisht Insajderi, dënimi maksimal për Grubin parashihet të jetë deri në 10 vite.
Për herë të fundit, Grubi është lajmëruar duke thënë se gjendet në Kosovë për t’i kryer disa punë, teksa ka mohuar se po tenton të arratiset nga drejtësia.