Me rastin e festës së Krishtlindjeve, Kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje për deputet nga Mitrovica, Armend Muja e Agim Bahtiri, kandidati për deputet nga Prishtina, Xhelal Sveçla dhe kandidatja për deputete nga Alternativa që garon në kuadër të listës së VV, Hasime Tahiri Hasani kanë vizituar kishën katolike në Mitrovicë.
Por ajo që vërehet nga fotot dhe njoftimi, është se aty kanë munguar dy kandidatë për deputet nga Mitrovica, Arjeta Fejza (VV) dhe Faton Peci (Guxo), raporton Veriu.info.
Njoftimi i LVV – Mitrovicë:
Sot, me rastin e festës së Krishtlindjeve, së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, Kryetarin e Qendrës, z. Armend Muja, si dhe kandidatët për deputetë znj. Hasime Tahiri-Hasani dhe z. Agim Bahtiri, zhvilluam një vizitë në kishën katolike në Mitrovicë. Aty u pritëm ngrohtësisht nga Prifti Don Beni, ndërsa atmosfera festive dhe fryma e solidaritetit na përkujtoi vlerat universale të kësaj dite të shenjtë.
Pas vizitës në kishë, patëm nderin të kalojmë disa çaste të veçanta me familjen e Mikel Dishpallit në lagjen e Boshnjakëve. Në një ambient të ngrohtë dhe mikpritës, ndamë urimet tona të sinqerta për Krishtlindje dhe përjetuam harmoninë e vërtetë të kësaj feste.
Për shumë mote Krishtlindjen! Qoftë kjo ditë e veçantë një frymëzim për dashuri, paqe dhe bashkëjetesë për të gjithë.













