“Dinjiteti i Mohuar”, është episodi i parë i dokumentarit “Rrëfime të Heshtura”, prodhim i Sbunker, me autor Sefer Zogaj. Ky episod trajton shkeljet e të drejtave të punëtorëve në sektorin privat.
Visar Ymeri nga Instituti “Musine Kokalari”, ka thënë se Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti ka qasje armiqësore ndaj sindikatave.
Ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje si parti që proklamon socialdemokracinë do të duhej të ishte aleate me sindiktatat – por thotë se qasja e pushtetit ndaj tyre është armiqësore.
Albin Kurti edhe pasi e kishte marrë pushtetin kishte deklaruar se do të ketë partneritet me sindikatat, sidomos me atë të sektorit privat.
Por, edhe nga Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat thonë se qeveria nuk i ka pranuar as në takime.
Për Visar Ymerin, fryma sindikaliste nxitet vetëm duke qenë sindikatat efektive, por kjo nuk mundësohet kur ato luftohen nga pushteti.
“Së pari nuk është që s’ka pasur aleancë të Qeverisë me sindikatat, po as nuk ka qenë shpërfillje ka qenë armiqësim, sepse i kemi tri modalitete të mundshme, njëra është aleancë që një Qeveri socialdemokrate do të duhej t ishte aleate me sindikatat kjo nuk ka nevojë për t’u diskutuar, ose mund të jetë një qeveri shpërfillëse që i lë anash që kanë qenë pak a shumë qeveritë e kaluara. Dhe pastaj ke një qasje tjetër që e ka Vetëvendosja që është armiqësore ndaj Sindikatave”, ka thënë ndër tjerash Ymeri.