Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, bashkë me komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bahkim Jasharin, janë pritur nga ndihmëssekretari i Mbrojtjes për NATO dhe Evropë, Alton Buland, në Departamentin e Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara.
Bëhet e ditur se gjatë takimti, Maqedonci foli për sukseset e përbashkëta në aktivitetet dypalëshe në planin e tranzicionit, ku me fokus ishte realizimi i marrëveshjes kornizë në mes të dy vendeve në fushën e mbrojtjes.
“Kjo marrëveshje do të hapë mundësi të reja në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Pastaj gjeneral Jashari diskutoi për aktivitetet e shumta bilaterale ushtarake në mes të dy forcave si dhe për planet konkrete për bashkëpunim dhe bashkëzbarkim me Gardën Kombëtare të Ajovës”.
“Një diskutim tjetër i rëndësishëm ishin hapat e mëtutjeshëm për finalizimin e planit 10-vjeçar të transicionit”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, ndihmëssekretari Buland, theksoi rëndësinë e partneritetit mes SHBA-së dhe Kosovës, teksa ka ofruar mbështetjen e Departamentit të Mbrojtjes për rrugëtimin përpara drejt përmbushjes së objektivave strategjike.
“Të dyja palët u pajtuan se bashkëpunimi bilateral është në nivel të lartë dhe me hapa konkretë për zhvillim të mëtutjeshëm në shërbim të garantimit të interesave të sigurisë të dy vendeve tona”, thuhet në njoftim.