Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, gazetari Berat Buzhala, i ka quajtur mashtrues. Kjo sepse sipas tij, të njëjtit “po mundohen t’i hedhin hi, syve të publikut”.
Kështu i është kundërpërgjigjur Buzhala, zëvendësministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishit.
Durmishi, gjatë emisionit “Debat Plus”, ku po diskutohet për publikimet e Buzhalës lidhur me një aferë korruptive të ryshfetit, e cila është dëshmuar në një audi-përgjim, ka thënë se ministria e Infrastrukturës nuk ka kontratë me kompaninë “Infratek”.
“Ministria jonë nuk ka kontrat me kompaninë Infratek. Si mund t’ia shkëputim kontratën dikujt me të cilin nuk kemi kontratë. Buzhala ose qëllimshëm po manipulon ose nuk e kupton këtë çështje. Në emër të të drejtës së autorit për cdo ndryshim në projekt kërkohet aprovim i kompanisë projektuese, pr anuk ka kontratë me ta”, ka thënë Durmishi.
Ndërsa kësaj i është përgjigjur Buzhala me nënqeshje.
“Po qeshi, sepse janë mashtrues por të cekët, po duan t’i hedhin hi syve publikut”, ka thënë ai.
Emri i Florent Ramqajt, këshilltar i ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu është ndërlidhur me një aferë korruptive të ryshfetit.
Sipas Buzhalës, përgjimi dëshmon se si një përfaqësues i kompanisë private të projektimeve ndërtimore, “Infratek”, e cila është në pronësi të dajës së këshilltarit Ramqaj, kërkon ryshfet nga një përfaqësues i një biznesi tjetër privat për dorëzimin e një raporti pranë Ministrisë së Infrastrukturës për punët e kryera për një projekt rrugor.













