Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Mitrovicë të Veriut për armë ilegale. I dyshuari u kap me kallashnikov dhe municion në veturë, pas kontrollit të kryer nga zyrtarët policorë dhe për pasojë përfundoi në ndalim policor.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari që u arrestua është Slavisa Djordjevic, 52-vjeçar.
Në veturën e të dyshuarit, Policia ka gjetur edhe pajisje për prodhimin e kriptovalutave, që janë konfiskuar me provat e tjera.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
“Njësitet policore nga Stacioni policor në Mitrovicë Veri, me datë 27.01.2025 gjatë një kontrolle rutinore kanë ndaluar një automjet, ku pas kontrollit të detajuar në bagazhin e automjetit kanë gjetur dhe më pas kanë konfiskuar:
një (1) armë e llojit AK-47
një (1) karikator
pesë (5) fishek të kalibrit 7.62 mm si dhe
pajisje për prodhimin e kriptovalutave”
Ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për veprën penale ’Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.













