Pas kërcënimeve e të presidentit amerikan, Donald Trump, për vendosje të tarifave ndaj Bashkimit Europian, ministrat e Tregtisë të bllokut po takohen sot në Varshavë.
Një këshillë se si duhet parë presidenti amerikan e ka dhënë ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Xavier Bettel, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Bettel, i cili punoi me Trump sa ishte kryeministër i vendit të tij gjatë mandatit të tij të parë, tha: “Nëse je i dobët, ai të ha. Dhe nëse nuk negocion, ai të vret”.
“Po i humbet oreksi në Europë. Kështu duhet të sillemi me të: jini të fortë, por të bashkuar. Amerika së pari nuk do të thotë Amerikë vetëm, sepse edhe Amerika ka nevojë për partnerë”.
Duke bërë shaka për nevojën për të biseduar me administratën e re amerikane, ai vazhdoi duke thënë: “Është si një martesë. Kam qenë kryetar bashkie, kam bërë shumë dasma para se të isha kryeministër, por kam qenë edhe jurist, kam bërë shumë divorce. Gjëja më e rëndësishme është të flisni së bashku dhe kur keni probleme … të diskutoni, të jeni rreth tryezës”.
Ai u përpoq të jepte një notë optimiste.
“Kam punuar për vite me të, me Donaldin dhe mbijetuam. Kështu që jam i bindur se të gjithë do të mbijetojmë dhe do të kemi një ekonomi të fortë. Nuk është në interesin e askujt përpjekja për të dobësuar dikë. Dhe ju thashë, gjëja më e mirë është se ai nuk është i uritur për Europën.
Por, ai tha përfundimisht se nëse Trump lëviz kundër BE-së, blloku do të duhet të hakmerret.
“Zakonisht më i zgjuari është ai që heq dorë, por ja ku duhet të përgjigjeni. Nëse ka sulme, ju duhet të mbroni”.