Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

REL: Kosova në udhëkryq me aleatët e saj

08/02/2025 - 17:58
në Kryesore, Lajme
A A
REL: Kosova në udhëkryq me aleatët e saj
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Në kohën e zhvillimeve të shpejta gjeopolitike, është thelbësore që Kosova të rreshtohet me aleatët e saj ndërkombëtarë. Dështimi për ta bërë këtë, rrezikon ta shtyjë vendin në izolim ose ta lërë atë të bllokuar në një konflikt të ngrirë, thonë vëzhguesit në SHBA dhe Evropë.Për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, asnjë qeveri e vendit nuk i ka pasur marrëdhëniet e mira me SHBA-në, siç i ka pasur qeveria e tij. Po ashtu, shteti i Kosovës nuk ka përfituar kurrë më shumë nga bashkëpunimi me SHBA-në, sesa gjatë qeverisjes së tij.

“Qeveritë e mëhershme i përdornin raportet me SHBA-në e Perëndimin për pushtet, për karriget e tyre, për t’u ngjitur pak më lart e për të ndenjur pak më gjatë. Ne i përdorim për shtet, jo për pushtet, por për ta ngritur shtetin lart e më lart dhe për të qëndruar fuqishëm e fort në këmbët e veta”, tha Kurti.

Ai iu drejtua kështu mbështetësve të tij në Ferizaj, një javë para zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.

Një ditë pas adresimit të tij, i dërguari i SHBA-së për misione të posaçme, Richard Grenell, shkroi në rrjetin X se Qeveria e Kurtit “nuk është partnere e besueshme”. Edhe republikanët, edhe demokratët, sipas tij, e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme, që destabilizojnë rajonin.

“Retorika që përdor Kurti tani, duke pretenduar se është i afërt me SHBA-në dhe më i mirë se të gjitha qeveritë e tjera të Kosovës, është absolutisht e rreme”, shkroi Grenell në X.

Kabineti i Kurtit nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë, në lidhje me këto komente, por duke folur për një medium në Kosovë, ai përsëriti se marrëdhëdhëniet me SHBA-në janë në nivelin më të mirë – në çka reagoi sërish Grenell, duke thënë se ato nuk kanë qenë kurrë në pikë më të ulët.

Kurti dhe Qeveria e tij janë kritikuar edhe nga zyrtarë të administratës së mëparshme amerikane për veprimet, që janë cilësuar si të pakoordinuara, në veriun e Kosovës

Në këtë zonë të banuar me shumicë serbe, Qeveria e Kosovës ka zëvendësuar targat serbe me targa të Kosovës, ka hequr nga përdorimi dinarin serb, ka mbyllur institucionet paralele serbe e të tjera.

Për zyrtarët amerikanë, por edhe ata të Bashkimit Evropian, të gjitha këto e kanë vështirësuar jetesën e komunitetit serb dhe është dashur të diskutohen në kuadër të dialogut me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve.

Për Kurtin, kanë qenë hapa të domosdoshëm drejt shtrirjes së sundimit të ligjit në veri dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

Kurti nuk është zmbrapsur as kur SHBA-ja e ka paralajmëruar për rrezikim të raporteve, as kur BE-ja e ka ndëshkuar Kosovën me pezullim fondesh dhe takimesh të nivelit të lartë.

Kurti, vazhdimisht, ka këmbëngulur se marrëdhëniet me Perëndimin janë të mira, edhe pse nuk ka pajtim për gjithçka.

Por, për kundërshtarët e tij nuk është kështu. Kosova, që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, nuk ka qenë kurrë në një pozicion më të pavolitshëm me partnerët ndërkombëtarë, sipas rivalëve të Kurtit që synojnë postin e kryeministrit.

Secili prej tyre – Bedri Hamza i PDK-së, Lumir Abdixhiku i LDK-së dhe Ramush Haradinaj i AAK-së – e kanë pjesë të programit riparimin dhe thellimin e marrëdhënieve me SHBA-në, sepse, sipas tyre, ato janë thelbësore për të ardhmen e Kosovës.

Charles Kupchan, nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë në SHBA, thotë se kushdo që e formon Qeverinë e ardhshme të Kosovës, duhet të kujdeset që marrëdhëniet me SHBA-në të mbeten të forta dhe të paprekura.

Me të gjitha krizat në botë dhe me presidentin Donald Trumpin në Shtëpinë e Bardhë, Kupchan thotë se Kosova s’e ka luksin të jetë në mosmarrëveshje me aleatët.

Si ajo, ashtu dhe Serbia duhet ta kenë prioritet ekskluziv gjetjen e një rruge që çon në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, e jo në tensione të reja, sipas tij.

“Palët e përfshira – Beogradi dhe Prishtina – duhet të jenë të kujdesshme ndaj hapave që Trump mund t’i shohë si të padobishëm. Trump nuk i pret mirë politikat që mendon se janë pengesë drejt marrëveshjes apo paqes”, thotë Kupchan për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Kupchan e përshkruan Trumpin si njeri të marrëveshjeve, që i jep përparësi rezultatit dhe jo ideologjisë. Ndaj, thotë se Qeveria e Kosovës mund dhe duhet të adoptojë një qasje më pragmatike.

“Nëse dëshironi marrëdhënie të mira me Shtetet e Bashkuara, bëni marrëveshje, futuni në pazar, jini gati për të negociuar. Ju duhet ta shihni Trumpin si një president që nuk është ideologjik, nuk mendon për historinë e luftërave në Ballkan, nuk ka ndonjë pikëpamje të veçantë për multietnicitetetin – ai thjesht dëshiron të kryejë punë”.

“Unë mendoj se Qeveria e Kosovës duhet t’i qaset administratës Trump me atë lloj pragmatizmi dhe transaksionalizmi, sepse do t’i shpaguhet”, thotë Kupchan.

Në frontin evropian, Toby Vogel, nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit në Berlin, thotë se Qeveria e ardhshme e Kosovës do të duhet të punojë më me përkushtim për t’i përmirësuar marrëdhëniet me BE-në.

Ai sugjeron që Kosova të miratojë një qasje më diplomatike me aleatët e saj më të afërt, veçanërisht Gjermaninë, e cila luan rol vendimtar në qasjen e BE-së ndaj Kosovës.

“Gjermania ka qenë shumë e afërt me Vuçiqin, me lidershipin serb dhe ka zhvilluar lidhje gjithnjë e më të forta ekonomike me Serbinë. Pra, nuk ka asgjë që mund të bëjë Kosova për ta balancuar këtë. Ajo nuk duhet të ketë iluzione, por duhet ta dijë se është më e dobët edhe politikisht, edhe ekonomikisht, edhe në aspektin diplomatik. Por, e gjithë kjo e bën më të rëndësishme për të, që të ketë marrëdhënie më të ngrohta dhe më korrekte diplomatike me aleatët kryesorë”, thotë Vogel për Exposenë.

Vogel e këshillon Qeverinë e ardhshme të Kosovës që të shmangë çdo hap të pakoordinuar, sidomos kur bëhet fjalë për pjesën veriore të vendit.

Shfaqja e përmbajtjes dhe prioritizimi i zgjidhjeve diplomatike do ta forconin pozitën e Kosovës edhe në negociatat e saj me Brukselin, edhe në ato me Beogradin, sipas tij.

“Ka shumë pasiguri dhe lundrimi në këta ujëra shumë të trazuar, do të kërkojë shumë aftësi. Por, unë mendoj se ka shanse dhe ato duhen shfrytëzuar. Një prej tyre është ndërrimi i udhëheqësve të Bashkimit Evropian. Tani kemi një përfaqësuese të re të politikës së jashtme, e cila mbikëqyr dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe, ajo nuk është dashamirëse ndaj Rusisë apo ndikimit rus në Ballkan”, thotë Vogel.

REL-i pyeti Bashkimin Evropian nëse është duke shqyrtuar heqjen e masave kundër Kosovës dhe çfarë hapash specifikë pret BE-ja nga Kosova për ta bërë një gjë të tillë.

Në përgjigjen e marrë nga një zëdhënës i BE-së thuhet se “masat e përkohshme të BE-së janë të kthyeshme dhe Këshilli tashmë ka vendosur kushte për heqjen graduale të tyre, të cilat lidhen me marrjen e hapave që i ulin tensionet në veri”.

Në qarqet e BE-së, kjo përgjigje është përfolur qysh në qershor të vitit të kaluar, por, ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka vazhduar me aksionet e veta, duke mbyllur sidomos institucione që funksionin brenda sistemit të Serbisë, jo vetëm në veri, por edhe në komuna të tjera me shumicë serbe.

Vogel thotë se qasja e tillë nuk është e duhura – mund ta lërë Kosovën të izoluar dhe jo vetëm.

“Çfarë unë kam frikë se mund të ndodhë, është një situatë si ajo që është zhvilluar, për shembull, në Qipro gjatë viteve. Pra, një lloj konflikti i ngrirë që nuk shpërthen në dhunë – edhe pse sulmi në Banjskë ka dëshmuar edhe të kundërtën. Ndaj, Kosovës nuk i duhen aso flluskash të vazhdueshme nën sipërfaqe, sepse do ta pengonin për të ecur përpara, për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës e kështu me radhë”, thotë Vogel.

Kosova tani është në pritje të Qeverisë së re, që do të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Varësisht rezultatit, në tryezë mund të jenë kombinime në ndryshme.

Kurti ka dhënë sinjale se, nëse fiton mandatin e ri si kryeministër, ai do të vazhdojë ta forcojë imazhin e tij si një udhëheqës i pakompromis, i cili i jep përparësi parimit, përpara diplomacisë.

“Republika e Kosovës, me qeverinë tonë në udhëheqje, i thotë jo kurrë ‘zajednicës’ dhe po asociacionit të komunave të Kosovës”, ka thënë Kurti në një tubim me mbështetësit në Mitrovicë të Jugut.

Me ‘zajednicë’, partia e Kurtit i është referuar vazhdimisht Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Formimi i këtij asociacioni ka qenë pjesë e një marrëveshjeje që Kosova e ka arritur me Serbinë në vitin 2013, por që nuk është zbatuar kurrë.

Pavarësisht trysnisë së aleatëve perëndimorë për ta çuar përpara, Kurti nuk ka bërë asnjë hap në atë drejtim.

Por, me fjalët e Kupchanit, politika është e paparashikueshme dhe, pas zgjedhjeve, gjithçka mund të marrë kthesë të re… sepse nëse ka një gjë të sigurt në politikë, është se asgjë nuk është kurrë e sigurt./REL/

JU REKOMANDOJMË

Çitaku e PDK-së: Për keqardhje që dy gra pranuan huazimin e emrave të tyre për një maskaradë të Albin Kurtit

Çitaku: 17 shkurti i 2008-ës ishte i akullt, por njëkohësisht dita më e ngrohtë e një shekulli të tërë
28/04/2026 - 09:42

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër lidhur me zhvillimet politike rreth procesit për zgjedhjen e presidentit të vendit, duke e cilësuar atë...

Më shumëDetails

Gjendet pa shenja jete një burrë në Prizren, Policia nis hetimet

Sulmuan fizikisht tre persona, Policia arreston katër të dyshuar – Janë dërguar në mbajtje
28/04/2026 - 09:22

Një burrë është gjetur pa shenja jete në Prizren dhe Policia ka njoftuar se ka nisur hetimet. Sipas Policisë, vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në...

Më shumëDetails

Një cent më shtrenjtë, këto janë çmimet e derivateve për sot në Kosovë

Ulet çmimi i naftës
28/04/2026 - 09:20

Çmimi i naftës për ditën e sotme është 1.67 euro për litër, një cent më shtrenjtë krahasuar me dje. Kështu është bërë e ditur nga Ministria e Industrisë,...

Më shumëDetails

Bugaqku: Mënyra e votimit për çështjen e presidentit, është në kundërshtim të plotë me dy aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese

Bugaqku: Mënyra e votimit për çështjen e presidentit, është në kundërshtim të plotë me dy aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese
28/04/2026 - 09:01

Vullnet Bugaqku nga KDI, tha se mënyra e zgjedhjes së presidentit në Kuvend cenon rendin kushtetues. “Kjo lloj mënyre e veprimit apo vendimmarrjes në Kuvend dhe mënyra se...

Më shumëDetails

Deliu-Kodra: Sot vazhdon “karateja” për zgjedhje të presidentit – pushteti fillimisht godet rendin kushtetues, pastaj pyet a ishte e ligjshme

Deliu akuzon Kurtin për përdorim elektoral të letrës për ish-krerët e UÇK-së
28/04/2026 - 08:56

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka deklaruar se sot do të vazhdojë “karateja” për zgjedhje të presidentit. Përmes një postimi në Facebook, deputetja akuzoi VV-në se fillimisht e...

Më shumëDetails

Haziri akuzon VV-në: Institucionet s’mund të ndërtohen mbi shkelje të Kushtetutës

A ka votë, LDK-ja për LVV-në pas zgjedhjeve të balotazhit, Haziri: S’jemi tavolinë suedeze
28/04/2026 - 08:35

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për shkelje të Kushtetutës. Në një postim në...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Skandal: Interex kapet duke incizuar me kamerë klientët në zhveshtore, gjobitet 8 mijë euro (Dokument)

    Skandal: Interex kapet duke incizuar me kamerë klientët në zhveshtore, gjobitet 8 mijë euro (Dokument)

    202 Shpërndaje
    Shpërndaje 81 Tweet 51
  • Shpërthen edhe një skandal i “Riga Pharm”: Disa barnatore kapen pa farmacist, rrezikohet jeta e qytetarëve

    117 Shpërndaje
    Shpërndaje 47 Tweet 29
  • Shteti e zbulon kompaninë “Viva Fresh” duke i mashtruar konsumatorët me çmime, gjobitet simbolikisht (Dokument)

    103 Shpërndaje
    Shpërndaje 41 Tweet 26
  • Shteti dënon kompaninë Durmart të Agron Durmishi, u zbulua duke shkelur të drejtat e konsumatorit (Dokument)

    100 Shpërndaje
    Shpërndaje 40 Tweet 25
  • Seanca për presidentin, Hasani: Opozita gabon nëse e çon në Kushtetuese

    99 Shpërndaje
    Shpërndaje 40 Tweet 25

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë