
Arabia Saudite është e hapur për të ndërmjetësuar mes administratës së presidentit Donald Trump të ShBA-së dhe Iranit në ndjekje të një marrëveshjeje të re për ta kufizuar programin bërthamor të Iranit, ka marrë vesh televizioni CNN.
Mbretëria e Arabisë Saudite është e shqetësuar që Irani mund të jetë më i prirë për të prodhuar një armë bërthamore tani që grupet rajonale të tij – të para për një kohë të gjatë si frenim kundër sulmeve izraelite – janë dobësuar në masë domethënëse. Arabia Saudite shpreson që t’i shfrytëzojë lidhjet e saj të ngushta me Trumpin për t’i ofruar Iranit një urë diplomatike me Shtëpinë e Bardhë, raporton televizioni i njohur amerikan.
Është e paqartë nëse Arabia Saudite ka bërë një ofertë formale, por kjo lëvizje e nënvizon dëshirën e Riadit për t’i shfrytëzuar marrëdhëniet e përmirësuara me vendin dikur armik dhe për të siguruar një ulëse në tavolinën e bisedimeve për një marrëveshje të re të mundshme.
Përderisa Trumpi ka thënë se dëshiron që të hyjë në bisedime për një marrëveshje të re, porosia nga Irani ka qenë e përzier. Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, javën e kaluar tha se bisedimet me Shtetet e Bashkuara “nuk janë të zgjuara”.
Departamenti i Shtetit i ShBA-së dhe Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite nuk iu përgjigjën kërkesave të televizionit CNN për komente. Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara në Nju-Jork tha se nuk ka koment.
Arabia Saudite publikisht e kishte mirëpritur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 mes Iranit dhe fuqive botërore, por privatisht kishte shprehur pakënaqësi rreth dështimit të administratës së presidentit të atëhershëm amerikan, Barack Obama, për t’i adresuar shqetësimet e saj rreth aktiviteteve rajonale të Teheranit – veçanërisht programin bërthamor dhe grupet prokura nga Jemeni deri në Irak e Liban, të cilat Riadi i shihte si kërcënim ndaj stabilitetit rajonal. Më vonë, Arabia Saudite e kishte mirëpritur tërheqjen e Trumpit nga kjo marrëveshje më 2018.
Një vit pas tërheqjes së ShBA-së nga marrëveshja bërthamore me iranian, qendrat e naftës në Arabinë Saudite kishin pësuar një sulm të konsiderueshëm me dronë e raketa, i cili e kishte shkaktuar zvogëlimin e përkohshëm për gjysmë të prodhimit të naftës së papërpunuar në shtetin që prin në këtë sektor në botë. Rebelët Houthi të Jemenit, që përkrahen nga Irani, e kishin marrë përgjegjësinë, por ShBA-ja e kishte fajësuar Iranin, edhe pse nuk kishte ndërmarrë veprime ushtarake për ta mbrojtur Arabinë Saudite aleate.












