Hekuran Nikçi për më shumë se dy vjet, e mbajti paligjshëm pozitën e Kryeinspektorit të Punës. Ai u emërua me vendim në këtë pozitë, çka Gjykata Themelore, Apeli dhe Supremja, konstatuan se ky emërim ishte i jashtëligjshëm, pasi duhej të shpallej konkursi.
Pavarësisht kësaj, Nikçi e as Ministria e Financave nuk respektuan as vendimin e Këshillit Civil, e as të tri Gjykatave të Kosovës.
Si rezultat, tash, Nikçi është afër ta fitojë mandatin tjetër në këtë pozitë. Por, kësaj radhe me një konkurs të shpallur.
Hekuran Nikçi është kandidati më i vlerësuar për t’u bërë Drejtor në Inspektoratin Qendror të Punës. Ky institucion u kthye në Agjenci, me një rregullore për të cilën Nacionale raportoi kohë më parë.
Bazuar në rezultatet që ka siguruar Nacionale, Nikçi prin bindshëm për pozitën e Drejtorit me 83 pikë. I dyti është Liridon Aliu me 75 pikë, kurse i treti është Isuf Mehmeti me 68 pikë.
Si rezultat, Nikçi pritet ta vazhdojë punën e tij si Drejtor në Inspektoratin e Punës, pasi qëndroi dy vjet jashtëligjshëm në pozitën që e ka edhe aktualisht.
Historia e vendimeve të Gjykatave që nuk u përfillën
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës Civil. Gjykata Themelore. Apeli. Gjykata Supreme. Një institucion i pavarur dhe tri shkallë të gjykatave në Kosovë, kanë konstatuar se kryeinspektori i Punës, Hekuran Nikçi, e mban pozitën e tij jashtëligjshëm.
Nacionale kishte raportuar javë më parë se Ministria e Financave ka shpallur konkurs për drejtor ekzekutiv në Inspektoratin Qendror të Punës.
Kjo pas miratimit të një rregulloreje për sistematizimin e vendeve të punës në Inspektoratin Qendror të Punës.
Pra, për më shumë se dy vjet gjykatat konstatuan se e ka mbajtur pozitën jashtëligjshëm, tash i njëjti synon që këtë pozitë ta sigurojë përmes ligjit.
Kjo konfirmohet nga dokumenti me emrat e kandidatëve e cila është publikuar nga Ministria e Financave.
Nacionale për këtë temë ka kërkuar sqarime edhe nga Ministria e Financave edhe nga Nikçi por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Nacionale kishte raportuar para pak kohësh se Nikçi po refuzon ta lëshojë zyrën, pasi Këshilli Civil po komunikon me Agim Millakun, zv/kryeinspektorin e Punës.
Gazeta Nacionale ka siguruar një vendim të nënshkruar nga zv/kryeinspektori Agim Millaku. Aty, kërkohet nga Hekuran Nikçi që ta dorëzojë vulën dhe të gjitha mjetet e punës. Kjo pasi Këshilli Mbikëqyrës Civil konstatoi pas vendimit të Gjykatës Supreme, se Nikçi nuk është Kryeinspektor.
“Obligohet z.Hekuran Nikçi – ishkryeinspektor i punës (Drejtor Ekzekutiv) në Inspektoratin Qendror të Punës që me datë 26.12.2024 të dorëzoi vulën zyrtare, dokumentacionin që posedon si dhe mjetet e punës në posedim që janë pasuri e IQP. Dorëzimi të bëhet në Departamentin e Administratës dhe Shërbime të Përgjithshme”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga zv/kryeinspektori, Agim Millaku.
Dokumenti i siguruar nga Nacionale përmban vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës Civil me të cilin u konstatua se emërimi i Nikçit ishte i paligjshëm, pasi ishte bërë pa procedura të konkursit. Aty përmenden vendimet e tri shkallëve të Gjykatave, Themelores, Apelit e Supremes, që konfirmuan vendimin e Këshillit, dhe konstatuan paligjshmërinë e emërimit të Nikçit.
Historia e vendimeve
Katër muaj më parë, gazeta Nacionale ka publikua aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, i cili kishte rrëzuar ankesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, me të cilën kontestonte vendimin Këshilli të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës(KPMShCK) për emërimin e Kryeinspektorit të Punës.
Në këtë mënyrë, kjo gjykatë kishte konfirmuar përfundimisht vendimin e KPMShCK-së se emërimi i Hekuran Nikçit në pozitën e Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës ka qenë i kundërligjshëm.
Në aktgjykimin e Apelit, të cilin e ka siguruar gazeta Nacionale, refuzohet si e pa bazuar ankesa e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.
Aktgjykimi në fjalë tregon se mbetet në fuqi aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i cili e vlerësonte si të drejtë vendimin e KPMShCK-së.
“Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, A.nr.1892\2022, të datës 14.04.2023, është refuzuar si e pabazuar kërkesëpadia e paditësit Ministria e Financave, Punës dhe Transferve, kundër të paditurës Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, me të cilën ka kërkuar të anulohet vendimi i të paditurës A.nr.50\2022”, është thënë në vendimin e Gjykatës se Apelit.
Dy muaj më parë Nacionale raportoi se edhe Gjykata Supreme konfirmoi vendimin fillestar.
Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfervem nuk ishte pajtuar asnjëherë me vendimin e KPMShCK-së, i cili kishte konstatuar se emërimi i Hekuran Nikçit nuk ishte bërë në përputhje me ligjet e Kosovës.
Vendimin në fjalë, ministria e Hekuran Muratit e kishte sfiduar në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Më 27 prill të vitit të kaluar, kjo gjykatë kishte vendosur që të hidhet poshtë si e pabazuar kërkesëpadi e Ministrisë së Financave, ku kërkohej të anulohet vendimi i Këshillit për pozitën e Kryeinspektorit të Punës.
“Refuzohet si e pabazuar kërkesëpadi e paditësi Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, kundër të paditurës Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, me të cilën ka kërkuar të anulohet vendimi i të paditurës A.nr.50-2022”, ishte thënë në aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, të cilin e kishte publikuar gazeta Nacionale.
Më 25 maj të vitit të kaluar, me propozim të Ministrisë së Financave, Qeveria e Kosovës, kishte emëruar Kryeinspektorin e Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi.
Pas një Monitorimi të Jashtëzakonshëm në Ministrinë e Financave, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës kishte konstatuar se emërim është bërë në kundërshtim më ligjin në fuqi për Zyrtarët Publik.
Sipas vendimit të Këshillit, për këtë pozitë nuk ishte shpallur fare konkurs publik, i cili kërkohet me Ligjin për Zyrtaret Publik.
Këshilli kishte konstatuar se pozita e Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës hyn në kategorinë e pozitave të nivelit të lartë drejtues në kuadër të shërbimit civil, dhe si e tillë i nënshtrohet regjimit juridik të Ligjit për Zyrtarët Publikë.
Tani Qeverisë së Kosovës nuk i mbetet rrugë tjetër vetëm se të respektojë vendimet e katër nivele gjyqësore, të cilat kanë konstatuar se emërimin e Hekuran Nikçit në pozitën e Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës.