Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), javë më parë ka paralajmëruar grevë të përgjithshme nëse brenda 15 ditëve Qeveria e Kosovës nuk i plotëson kërkesat e tyre sa i përket Ligjit të Pagave.
E sipas SBASHK-ut, këtyre të fundit ju kanë mbetur afat vetëm edhe dy ditë kohë për kërkesat e tyre.
Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj ka thënë për Front Online se shpreson që Qeveria ’Kurti’ të reflektojë brenda këtij afati të mbetur.
“Ne si SBASHK-u do të angazhohemi në kuadër të BSPK-së që ta analizojmë situatën dhe pastaj bashkërisht do të vendosim se çfarë do të veprojmë tutje, uroj që Qeveria ashtu siç e ka zakon në çastet e fundit të angazhohet dhe këto dy ditë që kanë mbetur të reflektojë dhe të na sjell ndonjë lajm ndërmjetësuesi“, potencoi Jasharaj.
Jasharaj tutje ka bërë të ditur se në mos veprim të Qeverisë në kuadër të BSPK-së do të dalin me një vendim.
“Në të kundërtën i mbetet kryetarit të BSPK-së që ta thërras mbledhjen e kryesisë ekzekutive ta analizojmë situatën dhe pastaj bashkërisht do të dalim me një qëndrim dhe vendim tonin”, u shpreh Jasharaj për Front Online.
Miratimi i Ligjit për paga, zbatimi i Ligjit për Sigurimin Shëndetësor dhe ndryshim-plotësimi i Ligjit për Skemat Pensionale janë disa nga kërkesat e sindikatave.












