Cak i hajnave shumë herë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë veturat, të cilat qytetarët nuk po kanë siguri t’i lënë as në oborret e shtëpisë e garazhet e tyre. Të tilla raste janë shumë të shpeshta dhe ndodhin shpesh edhe në parkingje publike.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në fshatin Softaj të Ferizajt, ku hajnat kanë arritur që të vjedhin një automjet nga oborri i një shtëpie dhe janë larguar pa lënë ndonjë gjurmë.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rastin në Polici e ka denoncuar një i ri, i cili ka deklaruar se është vjedhur vetura e dajës së tij me targa gjermane.
Sipas informacioneve të para, të dyshuarit kanë dëmtuar edhe një kamerë sigurie dhe kanë ikur.
Pas denoncimit të rastit, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe janë ndërmarrë veprimet e nevojshme.
Në lidhje me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar të iniciohet rasti si “Vjedhje e rëndë”.