Çdo ditë në Policinë e Kosovës raportohen raste të shumta të dhunës në familje, ku kryesisht viktima janë gratë që pësojnë nga bashkëshortët e tyre. Një rast i tillë ka ndodhur edhe mbrëmë në Pejë, ku për shkak të dhunës psikike nga bashkëshorti, një grua ka konsumuar medikamente dhe si pasojë i është keqësuar gjendja.
Sinjali mëson se burri i dyshuar, përveç që ushtroi dhunë ndaj gruas, i shkoi asaj edhe në spital, ku e njëjta u dërgua për trajtim mjekësor. Derisa viktima po kontrollohej nga mjekët, i dyshuari kishte nisur të shajë e të bërtas, duke penguar kështu ekipin mjekësor që po kryente punën.
Për të mos e lejuar përshkallëzimin e situatës, Policia kishte intervenuar, duke i kërkuar që të largohet, por i njëjti bashkë me foshnjën që e kishte në ‘maksikozë’ kishte vazhduar të pengonte, deri në atë pikë sa e kishte rrezikuar fëmijën, duke e përplasur.
Sipas burimeve të Sinjalit, në ato momente, Policia ka tentuar t’ia marrë fëmijën, por i dyshuari është kthyer në mënyrë agresive, duke u thënë “mos më prekni, hajna, kriminela me Polici e Prokurorë, po doni me më nda prej gruas”.
Njësiti policor e ka prangosur menjëherë të dyshuarin, i cili më pas është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar për veprat me të cilat ngarkohet.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj të njëjtit është nxjerrë aktvendim për ndalimin prej 48 orësh, si i dyshuar për “Dhunë në familje” dhe “Pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, ndërsa viktima është kthyer në shtëpi bashkë me foshnjën.











