Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, është i vetmi deputet i shumicës i cili ka kundërshtuar votimin e projektligjit për Pagën Minimale, ku nuk përfshinë kategoritë e dala nga lufta.
Humolli, ka thënë se nëse do të kishte mocion të mosbesimit ndaj qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, ai do të votonte për.
Por kushti për këtë do të ishte që Lista Serbe të mos ishte për.
“Pëndryshe, sot do të shkonte në shtëpi (qeveria)”, është përgjigjur ai pas kësaj kur është pyetur nëse është për rrëzimin e qeverisë.
Deputeti i VV-së, ka thënë se ky subjekt politik sipas veprimeve të saj sot nuk dallon me partitë tjera si PDK, LDK e AAK.
Duke shprehur kundërshtimin për kalimin e projektligjit për pagën minimale pa përfshirjen e veteranëve, ai ka thënë se asnjë ministri në qeverinë Kurti nuk është duke punuar siç duhet, derisa më i ashpër ka qenë me ministrin e Financave, Hekuran Murati.
“Murati luan për ta djegur Vetëvendosjen dhe ka persona të tjerë që punojnë që qeveria e VV-së të dalë e dështuar. Murati është njeri pa ndjenjë kombëtare, teknicist, burokrat i sëmurë”, është shprehur Humolli në Info Magazine të Klan Kosova.
“Arsyeja që ky ligj kalohet pa diskutuar me veteran, është goditje pas shpine. Të lihet veteran me 170 euro. Këta që protestojnë sot PDK, LDK… këta e kanë lënë veteranin me këto 170 euro dhe I kanë thënë që të mos punojë”.
Humolli ka thënë se nuk është njeri i ultimatumeve. Duke folur për dorëheqjen e mundshme nga VV, ai ka thënë se hapësira është ngushtuar por që beson se në këtë parti ka njerëz që mund të reflektojnë.












