Deputetët opozitarë në Kuvendin e Serbisë sot kanë hedhur mjete piroteknike në sallën e Kuvendit pasi deputetët e koalicionit qeverisës miratuan rendin e ditës, të cilin opozita e kundërshtoi.
Deputetët opozitarë iu afruan tavolinës së kryetarit, aktivizuan bomba me tym të kuq dhe të zi dhe shpalosën një pankartë ku shkruhej “Serbia po ngrihet për të rrëzuar regjimin”.
Për këtë ngjarje ka reaguar Lista Srpska në Kosovë, e cila po thotë se opozita serbe kopjoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të cilin e quajti si “ndihmës” së opozitës serbe.
“Skenat e turpshme dhe drejtimi i kuazi opozitës në Kuvendin e Serbisë u kopjuan nga ndihmësi i tyre Albin Kurti, i cili erdhi në pushtet në Prishtinë me dhunë dhe idenë për të dëbuar gjithçka serbe. Pa dashur të fshehin aleancën e tyre me Kurtin, opozitarët e sotëm janë përpjekur të përdorin tym të kuq e të zi për të lumturuar Kurtin dhe regjimin e tij të mundur në zgjedhje”, tha Lista Srpska në një postim në Facebook.
Kjo parti foli në emër të serbëve të Kosovës, duke thënë se ngjarjet në Kuvendin e Serbisë po i shohin me “mosbesim”.
“Populli serb i Kosovës po i shikon me mosbesim ngjarjet në Kuvendin e Serbisë dhe i jep mbështetje të plotë presidentit Aleksandër Vuçiq për të ruajtur Serbinë tonë dhe për t’i mundësuar Serbisë të vazhdojë të punojë dhe të ndërtojë, në të njëjtën kohë u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Serbisë që të mos jenë instrument në duart e atyre që përsëri, siç bënë 13 vjet më parë, do të plaçkitin dhe shkatërrojnë vendin tonë”./Express/