Qindra fluturime janë anuluar të hënën në Gjermani, pasi punonjësit e aeroporteve kanë nisur një grevë të madhe për kërkesa pagash më të larta.
Greva filloi të dielën në Hamburg dhe u përhap shpejt në aeroporte të tjera, duke përfshirë Frankfurtin, Munihun, Dusseldorf, dhe Berlinin.
Sindikatat, kryesisht Verdi, po kërkojnë një rritje prej 8% të pagave për punonjësit e aeroporteve, ose të paktën 350 euro më shumë në muaj. Ata gjithashtu kërkojnë bonus më të lartë dhe pushime shtesë. Puna është ndërprerë në disa aeroporte dhe pasagjerët janë këshilluar të shmangin udhëtimet, raporton BBC.
Mediat gjermane raportojnë se më shumë se 500,000 pasagjerë mund të preken nga anulimi i fluturimeve. Lufthansa ka konfirmuar vonesa dhe anulime, dhe Aeroporti i Munihut ka njoftuar për një orar të reduktuar fluturimesh, transmeton Klankosova.tv.
Përveç aeroportëve, sindikata ka thirrur greva edhe për shërbimin e mbeturinave në disa qytete, duke përfshirë Berlinin dhe Essenin, ku kazanët nuk janë zbrazur që nga java e kaluar.
Për momentin, punëdhënësit kanë refuzuar kërkesat e sindikatave, duke i cilësuar ato si të papërballueshme.