Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë. Çdo ditë raportohen raste të ndryshme, ku përfshihen burra e gra, prindërit e fëmijët. Kështu ndodhi së fundmi në një familje në fshatin Llaushë të Podujevës.
Rasti u denoncua nga një 25-vjeçar, i cili kërkoi ndihmën e Policisë dhe e raportoi vëllain e tij 37-vjeçar.
Sinjali mëson se bazuar në dëshminë e viktimës, i riu ka deklaruar se vëllai e ka sulmuar fizikisht pas një konflikti verbal që kanë pasur mes vete, për çka ka marrë edhe trajtim mjekësor.
Si rezultat i raportimit të rastit, Policia e ka arrestuar të dyshuarin dhe i njëjti në stacion policor e ka mohuar se ka ushtruar dhunë ndaj vëllait të vet.
Pas përfundimit të procedurave, ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale ‘Dhunë në familje’.