Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se beson që Kyivi “mund të presë” që Shtetet e Bashkuara të marrin “masa të forta” kundër Rusisë nëse Moska refuzon propozimin për armëpushim të rënë dakord nga Ukraina dhe SHBA të martën, raporton CNN.
“Sipas asaj që kuptoj, ne mund të presim hapa të fortë. Nuk e di detajet, por po flasim për masa përkatëse sanksionuese dhe forcimin e Ukrainës”, tha Zelensky.
Duke folur para gazetarëve të mërkurën, Zelensky tha se Ukraina pranoi një armëpushim 30-ditor të propozuar nga SHBA, i cili do të përfshinte një ndalim të luftimeve në det, në ajër dhe në tokë.
Ai tha se kjo periudhë do të përdorej për të përcaktuar kushtet e një marrëveshjeje të ardhshme paqeje – përfshirë çfarë lloj garancish sigurie mund të ofrohen nga aleatët perëndimorë të Ukrainës.
“Çdo gjë varet nga Rusia. SHBA ndërmorën hapa, Ukraina e bëri të qartë pozicionin e saj. Tani Rusia duhet të përgjigjet”, tha lideri ukrainas në konferencën për shtyp në Kyiv.
Zelensky u pyet disa herë se çfarë do të ndodhte nëse Rusia do ta thyente armëpushimin 30-ditor, por ai nuk dha përgjigje konkrete – duke sugjeruar se detajet e çfarëdo armëpushimi ende duhet të përcaktohen.
Rusia deri më tani ka refuzuar ta komentojë planin, me zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov, që tha më herët të mërkurën se Moska po pret që të informohet nga zyrtarët amerikanë.