Ish-kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-Nisma, Ramush Haradinaj ka ngritur dyshime se është dëmtuar procesi zgjedhor nga partia e kryeministrit Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje.
Haradinaj ka thënë se LVV-ja ka ndërhyrë në këtë proces në mënyra të ndryshme.
“Me inxhiniering e morën edhe një mandat, është dëmtuar procesi, është kontaminuar procesi zgjedhorë, ka pasur ndërhyrje në mënyra të ndryshme. Kush i organizon zgjedhjet, partia në pushtet, përgjegjësia bie mbi ata që i organizojnë zgjedhjet.A është ligjore për votat në ambasadë në 80%, e votat me postë 50%, votat që i ka administruar pushteti 30% më shumë, vetëm ky element ka shumë domethënie. A është ligjore me shku me i marrë ambasadori votat ashtu, e me kombi me targa të Shqipërisë e me u ndal nëpër motele. Ka shumë shkelje në proces, si ja nisshin me i qitë rezultatet sa herë u bike sistemi”, tha Haradinaj në Klan Kosova.
Për më tepër, ai tha se ndërhyrja në rezultat nga LVV-ja ka ardhur pasi që ky subjekt politik nuk mori nga qytetarët 500 mijë vota sa i kishte kërkuar gjatë fushatës.
“Kur e panë që nuk e kanë rezultatin që e kanë pritë 500 mijë vota, atëherë e dëmtuan edhe vlerën me të mirë që e kemi krijuar na me zgjedhjet e mira e të rregullta, fer, të lira është ditë rezultati. 900 mijë vota me u 33 ditë mos me mujt me u administru është e dhimbshme. Hera e parë në historinë tonën si demokraci që ka kaq shumë ndërhyrje”, tha më tej Haradinaj.