Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e akuzoi homologun rus, Vladimir Putin, për përgjigje “manipuluese” ndaj propozimit të Shteteve të Bashkuara për armëpushim, duke thënë se kreu i Kremlinit pretendoi se e pranoi planin “në momentin që ai, në të vërtetë, po përgatitet për ta refuzuar atë”.
“Për këtë arsye, në Moskë, ata po e rrethojnë idenë e armëpushimit me parakushte të tilla që ai ose të dështojë, ose të zvarritet sa më gjatë që është e mundshme. Putini e bën këtë shpesh. Ai nuk thotë “jo” menjëherë, por i zvarrit gjërat dhe i bën të pamundshme zgjidhjet e arsyeshme” – paralajmëroi presidenti ukrainas, raporton gazeta “The Guardian”.
Edhe presidenti amerikan, Donald Trump, pranoi se përderisa përgjigjja e Putinit ishte “premtuese”, ajo gjithashtu ishte “e paplotë”.
Zbulimi i asaj se çfarë në të vërtetë dëshiron Putini dhe planifikimi i hapave të ardhshëm si kundërpërgjigje ndaj tij do të jenë në fokus ditëve të ardhshme, thekson gazeta britanike.
Emisari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, ishte në Moskë të enjten, ku pritej të takohej me Putinin ose me zyrtarë të lartë rusë për t’I diskutuar propozimet. Deri të premten në mëngjes, as Kremlini e as Shtëpia e Bardhë nuk lëshuan ndonjë deklaratë për diskutimet e tyre.
Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Mike Waltz, i çmoi ukrainasit për “një qasje shumë më ndryshe nga ajo që u pa… në Zyrën Ovale” dhe u bëri thirrje të gjitha palëve që të lëvizin drejt armëpushimit.