Komuna e Mitrovicës së veriut njofton se sot gjatë ditës Inspektorati komunal në bashkëpunim me Inspektoratin sanitar në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, kanë realizuar kontrolla rutinore në disa lokacione ku po zhvillohej aktiviteti i gastronomisë, raporton Veriu.info.
“Gjatë inspektimeve, janë identifikuar biznese ku kanë zhvilluar aktivitetin e gastronomisë pa siguruar kushtet elementare higjienike.
Në disa nga lokacionet, është bërë asgjësimi i produkteve ushqimore për shkak të afateve të skaduara si dhe në mungesë të dokumentacionit për prejardhjen e produkteve ushqimore”, thuhet në njoftimin e komunës.
Bëhet e ditur se inspektime rutinore janë realizuar edhe në kuzhinën e spitalit të qytetit, ku gjatë vizitës është takuar edhe përgjegjësi i spitalit Z. E. i cili njoftoi për mënyrën e funksionimit të kuzhinës, ku i njëjti u zotua se do të siguroj të gjithë dokumentacionin e nevojshëm sipas kërkesës së inspektorëve.
“Disa nga lokacionet e inspektuara, i është pezulluar aktiviteti i punës deri në përmirësimin e kushteve të punës sipas sugjerimeve të inspektoratit.
Qeverisja lokale në Komunën e Mitrovicës Veriore, është e përkushtuar maksimalisht për përmirësimin e jetës së qytetarëve”, përfundon njoftimin i komunës të Mitrovicës së veriut./Veriu.info