Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Sorensenit i propozohet ta “vëjë në ballë të dialogut njohjen reciproke, që ta zgjidhë konfliktin përgjithmonë”

23/03/2025 - 12:39
në Kryesore, Lajme
A A
Sorensenit i propozohet ta “vëjë në ballë të dialogut njohjen reciproke, që ta zgjidhë konfliktin përgjithmonë”

Newly appointed EU Special Representative to Bosnia and Herzegovina, Danish diplomat, Peter Sorensen, speaks during a press conference after presenting his accreditation letters in Sarajevo, on September 9, 2011. AFP PHOTO ELVIS BARUKCIC (Photo by ELVIS BARUKCIC / AFP)

Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Tetëmbëdhjetë muaj pa një takim të nivelit të lartë – dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka mbetur në vendnumëro. Me të dyja vendet të përfshira nga sfidat e brendshme, marrëveshja përfundimtare duket e largët. Analistët argumentojnë se bashkësia ndërkombëtare duhet të shtyjë përpara njohjen reciproke mes tyre, jo thjesht normalizimin e marrëdhënieve, dhe të ketë një plan B nëse dialogu dështon.

Vizita e parë e Peter Sorensenit në Prishtinë, si i dërguar i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, erdhi në një moment kur ky proces nuk duket se është në agjendën e dikujt.

Në Kosovë, vëmendja mbetet te çështjet paszgjedhore, ndërsa Serbia përballet me protesta dhe trazira të brendshme.

Pavarësisht këtyre, mesazhi i emisarit evropian ishte i qartë: dialogu duhet të vazhdojë.

“Dialogu është për t’u siguruar që të ketë takime. Se a do të thotë kompromis a jo, iu takon palëve për ta përcaktuar. Dialogu është për këtë dhe këtë jemi duke e bërë që nga viti 2011”, tha Sorensen më 17 mars në Prishtinë.

Para 14 vjetësh kanë nisur rundet e para të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Ndër vite, ato janë zhvilluar herë më me vrull, herë më ngadalë. Ka pasur me dhjetëra marrëveshje e zotime, por shumë prej tyre nuk janë zbatuar.

Udhëheqësit, ndërkohë, kanë ndërruar në Bruksel, në Prishtinë e në Beograd, por, njësoj, ka ndërruar edhe narrativi. Nëse dikur flitej për njohjen e ndërsjellë si qëllim kryesor, tani flitet vetëm për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Sorensen, pasi takoi krerët shtetërorë të Kosovës, theksoi nevojën për të vazhduar dialogun, por tha se do që t’i dëgjojë të dyja palët, përpara se të vendosë për hapat e ardhshëm.

“Qëllimi është që të vazhdojë procesi dhe të ecet përpara. Unë kam diskutime këtu në Prishtinë, por më duhet të shkoj edhe në Beograd. Pasi t’i zhvilloj këto biseda, do të ulem dhe të shoh se ku jemi”, tha Sorensen.

Dy palët nuk duket se janë askund afër. Bisedime të nivelit të lartë mes tyre nuk ka pasur qysh në shtator të vitit 2023.

Më 14 të atij muaji, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar në Bruksel, me ndërmjetësimin e udhëheqësve të atëhershëm evropianë, Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak.

Dhjetë ditë pas atij takimi ka ndodhur sulmi i armatosur në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh kanë vrarë një polic të Kosovës.

Përpjekjet e mëvonshme të BE-së për t’i ulur dy liderët bashkë në tryezë, kanë dështuar – kryesisht për shkak të kushteve që i ka paraqitur njëra palë, e që tjetra i ka kundërshtuar.

Pas takimit me Sorensenin, edhe Kurti, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kanë pasur një sërë kërkesash për të: nga heqja e masave ndëshkuese të BE-së kundër Kosovës deri te dorëzimi i grupit që ka sulmuar Banjskën tek autoritetet e Kosovës.

Për vëzhguesit e procesit të dialogut, topi, në fakt, është në fushën e BE-së. Ata thonë se është koha që ky bllok të fokusohet te një qëllim specifik, që është njohja e ndërsjellë mes dy vendeve, pasi, sipas tyre, kjo është zemra e problemit dhe kjo duhet të adresohet direkt.

Leon Hartwell, bashkëpunëtor i lartë në LSE IDEAS – Shkolla e Londrës për Ekonomi, flet më shumë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë:

“Është vërtet e rëndësishme që njohja e ndërsjellë të vihet në ballë të këtij dialogu, sepse ideja e normalizimit është shumë e papërcaktuar. Nëse nuk keni një qëllim të qartë, ju as nuk përpiqeni të arrini diçka specifike”.

“Ndaj, mendoj se Sorensen duhet ta vendosë këtë qëllim përpara, që të mund t’i lëvizë palët në një drejtim të caktuar dhe ta zgjidhë këtë konflikt njëherë e përgjithmonë”, thotë Hartwell.

Vuçiq këmbëngul se Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës. Fokusi i tij është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë – gjë të cilën shpesh e nxjerr edhe si kusht për vazhdimin e dialogut me palën tjetër.

Për këtë asociacion ka një marrëveshje qysh në vitin 2013, porse Kosova – pavarësisht trysninë ndërkombëtare – nuk e ka zbatuar kurrë, nga frika se një mekanizëm i tillë, me kompetenca të gjera, do të mund të ndikonte në funksionalitetin e shtetit.

Kosova ka kohë që ka marrë një draft të hartuar nga BE-ja për statutin e këtij asociacioni, por edhe ai duket se është jashtë tryezës tashmë.

Presidentja Osmani tha këtë javë se drafti, si i tillë, nuk do të merrte dritë jeshile nga Gjykata Kushtetuese e vendit.

“Unë, personalisht, besoj se nuk është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, nuk është në përputhje as me vlerat dhe normat e Bashkimit Evropian dhe standardet e Këshillit të Evropës, e as me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015″, tha Osmani.

Një asociacion me kompetenca të gjera do të vinte me rrezikun e krijimit të një Republike Sërpska në Kosovë, thotë Hartwell, duke iu referuar entitetit serb në Bosnje e Hercegovinë, i cili ka pushtet legjislativ.

“Ekziston një perceptim i fortë se Asociacioni do të ndihmonte në përparimin e dialogut, por unë jam shumë skeptik për këtë. Një opsion ndoshta për Kosovën do të ishte që të prezantonte një version të zbutur të Asociacionit dhe, në njëfarë mënyre, ta zbatonte atë, vetëm për t’i heshtur kritikët”.

“Por, theksoj se zbatimi i Asociacionit me kompetenca të forta ekzekutive do të bëhej mjaft problematik për Kosovën”, thotë Hartwell.

Kurt Bassuener, nga Këshilli për Politikën e Demokratizimit në Berlin, thotë se Bosnje e Hercegovina, për shkak të organizimit të brendshëm që ka, ka mbetur çështje e hapur prej dekadash. Nuk e përjashton mundësinë që edhe kontesti mes Kosovës dhe Serbisë të mbetet i tillë, ndaj sugjeron që të gjitha palët t’i kthehen qëllimit të deklaruar fillestar: njohjes së ndërsjellë.

“Askush nuk flet më për njohje të ndërsjellë. Të gjithë flasin për një normalizim dhe kjo nuk është në interesin e Kosovës, e do të thosha se nuk është as në interesin e një Serbisë demokratike”, thotë Bassuener.

Në vazhdën e ndryshimeve të shpejta gjeopolitike, ai thotë se Ballkani Perëndimor në përgjithësi është një rajon ku BE-ja ka potencial të madh për të ndikuar në stabilizimin e situatës dhe çështja e Kosovës dhe Serbisë, sipas tij, është thelbësore për këtë stabilitet.

“Shpresoj të ketë një rivlerësim dhe riorganizim të politikave nga Bashkimi Evropian. Nuk shoh ende asnjë provë për këtë – as në institucionet e BE-së dhe as në shtetet anëtare – edhe pse duhet kohë më e gjatë për ta kthyer anijen në drejtim tjetër”.

“Është e kuptueshme që janë fokusuar në atë se si t’i ndihmojnë ukrainasit, nëse amerikanët tërhiqen, si ta mbrojnë veten në mënyrë legjitime… Këto janë prioritete, por Ballkani Perëndimor është i vetmi vend në botë ku BE-ja mund të jetë vërtet vendimtare”, thotë Bassuener për Exposenë.

Analistët besojnë se BE-ja ka ende leva ndaj Kosovës dhe Serbisë për t’i shtyrë përpara drejt një marrëveshjeje, edhe pse kushtëzimi i integrimit të tyre evropian me normalizimin e marrëdhënieve, deri më tash nuk ka dhënë rezultate.

Hartwell thotë se Perëndimi duhet të ketë një plan të qartë B nëse dialogu dështon.

“Një nga zgjidhjet mund të jetë që pesë shtetet që nuk e kanë njohur ende Kosovën, ta njohin atë. Sepse, në atë rast, Serbia nuk mund të thotë se çështja e njohjes së Kosovës është ende në ajër. Asaj do t’i duhej të merrej me një Kosovë që njihet nga të gjitha vendet anëtare të BE-së. Dhe, nëse vërtet dëshiron të anëtarësohet në BE, Serbia do të duhet të punojë brenda kësaj kornize”, thotë Hartwell.

Megjithatë, disa kanë hamendësuar se me presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, Serbia ka më shumë hapësirë veprimi, për shkak të lidhjeve të saj më të ngushta – qofshin politike, qofshin ekonomike – me njerëz të afërt me Trumpin.

Ndaj, analistët thonë se fokusi i Kosovës duhet të jetë te ruajtja e mbështetjes dypartiake në Uashington.

Sipas Hartwellit, vendi duhet të pozicionet si një partner i besueshëm, sidomos në çështjet e sigurisë dhe ekonomisë, si dhe të rrisë bashkëpunimin me SHBA-në në fushën e energjisë dhe mbrojtjes.

Viteve të fundit, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, është përballur me kritika të herëpashershme nga zyrtarët amerikanë, për shkak të disa veprimeve në veri të vendit, të cilat i kanë cilësuar si të pakoordinuara dhe me ndikim të keq te komuniteti serb.

Kontakti i fundit i ditur, që Kosova ka pasur me Shtëpinë e Bardhë, ka qenë një letër që presidenti Trump i ka dërguar presidentes Osmani, me rastin e 17-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, në muajin shkurt.

Në atë letër, Trump është zotuar për zgjerimin e lidhjeve me Kosovën dhe nuk e ka përmendur fare dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Në BE nuk i janë përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse planifikojnë të thërrasin ndonjë takim mes udhëheqësve të të dyja vendeve së shpejti. Po ashtu, nuk është e qartë nëse ata do t’i përgjigjeshin ftesës.

Me Kosovën ende pa qeveri të re, pas zgjedhjeve të shkurtit, dhe me protestat e vazhdueshme në Serbi, e vetmja gjë që lëviz me siguri përpara, është kalendari. /REL/

JU REKOMANDOJMË

Sot mbahet ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 62-të të Policisë së Kosovës
Lajme

Sot mbahet ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 62-të të Policisë së Kosovës

11/07/2025 - 08:46
Prapaskenat brenda samitit të NATO-s për të joshur Donald Trumpin, CNN: Diplomacia e Mark Rutte për “babin” dhe kërcënimi për Spanjën
Lajme

Trumpi kërcënon me taksë 35 për qind ndaj mallrave të Kanadasë

11/07/2025 - 08:35
Konfirmimi i fjalëve të Trump nga Osmani, Haziri: Situata është shumë më serioze
Lajme

Konfirmimi i fjalëve të Trump nga Osmani, Haziri: Situata është shumë më serioze

11/07/2025 - 08:21
Nga sot fillon greva e punëtorëve të sigurimit të QKUK-së
Lajme

Nga sot fillon greva e punëtorëve të sigurimit të QKUK-së

11/07/2025 - 08:06
Hera e 45 sot, Kosova edhe 5 muaj pas zgjedhjeve ende pa konstituimin e Kuvendit – Afati 30 ditor drejt fundit
Kryesore

Hera e 45 sot, Kosova edhe 5 muaj pas zgjedhjeve ende pa konstituimin e Kuvendit – Afati 30 ditor drejt fundit

11/07/2025 - 08:04
Konfirmimi i deklaratave të Trump, dialogu e kërkesa për konstituim të Kuvendit: Çfarë tha Osmani në SHBA
Kryesore

Konfirmimi i deklaratave të Trump, dialogu e kërkesa për konstituim të Kuvendit: Çfarë tha Osmani në SHBA

11/07/2025 - 08:02

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • “Kishte një dëshirë”, vëllai i Agon Zejnullahut tregon bisedën e fundit me të dy orë para vde’kjes

    “Kishte një dëshirë”, vëllai i Agon Zejnullahut tregon bisedën e fundit me të dy orë para vde’kjes

    133 Shpërndaje
    Shpërndaje 53 Tweet 33
  • LAJMI I FUNDIT: Therret me thikë një person në Mitrovicë, kjo është gjendja e tij

    119 Shpërndaje
    Shpërndaje 48 Tweet 30
  • Murati: Kushtetues edhe ligji për pensionet – i treti radhazi që rrëzon kontestimet e opozitës

    107 Shpërndaje
    Shpërndaje 43 Tweet 27
  • Mbindërtim pa leje në çatinë e “Mitrovica Mall”, Inspeksioni i jep një ditë afat investitorit Riad Bashota ta demolojë

    102 Shpërndaje
    Shpërndaje 41 Tweet 26
  • Këta janë dy personat e arrestuar për djegien e “GATE Club”

    296 Shpërndaje
    Shpërndaje 118 Tweet 74

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë