Edhe Qeveria ka dalë me njoftim rreth takimit të kryeministrit Albin Kurti me përfaqësuesit e organizatave të veteranëve të luftës.
Në komunikatën për media thuhet se në takimin me Faton Klinakun, ushtrues detyre i kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së dhe Fadil Shurdhaj, kryetar i Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së dhe kryetarët e disa degëve të organizatës së veteranëve të luftës, u ritheksua përkushtimi i Qeverisë së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me Organizatën e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me qëllim të përmirësimit të mirëqenies së veteranëve të UÇK-së.
“U bisedua edhe për çështjen e pastrimit të listave dhe mundësitë e bashkëpunimit në këtë aspekt, si dhe tema të tjera të rëndësishme lidhur me statusin dhe gjendjen e veteranëve të luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë takim të përbashkët të pranishëm ishin edhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, këshilltari i Kryeministrit për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Aziz Bici dhe Kryetari i Komisionit Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Ndërkohë, Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së ka bërë të ditur pas takimit se me Kurtin nuk është arritur pajtim për kërkesat e tyre.
Pas takimit që ka zgjatur më shumë se dy orë, ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, ka deklaruar se Kurti diskutonte për pastrimin e listave të veteranëve, duke shtuar se me këtë çështje duhet të merren gjykatat dhe jo ata.












