
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë ditës së djeshme ka udhëtuar drejt Hagës për vizitë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në Qendrën e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara.
Shefi i Kabinetit të Konjfucës, Ilir Kërçeli, ka bërë të ditur se kryekuvendari sot do të takojë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe bashkëpartiakun e tij, ish-shefin e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.
Para nisjes për Hagë, Konjufca ka thënë se Kosova është e shqetësuar me procesin që po zhvillohet atje, e që shqetësimet ndërlidhen me të drejtat e njeriut.
Kujtojmë se ish-krerëve të UÇK-së u kishte shkuar për vizitë edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të cilën Thaçi e Veseli nuk pranuan që ta takojnë.











