
Në zgjedhjet e fundit parlamentare Lëvizja Vetëvendosje kishte dalë bindshëm subjekti i parë në Mitrovicë, ku kishte marrë 64% (22 580 vota).
Por kjo parti duket se nuk i ka punët mirë në aspektin e organizimit të brendshëm, të cilat u reflektuan në zgjedhje lokale dhe po reflektohen edhe tani.
Dje, Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje ka ftuar te rininë e saj në Mitrovicë për një takim, ku pritej të mbahej një takim i fuqishëm me qindra pjesëmarrës duke pasur parasysh fuqinë e votës që ka ky subjekt dhe pjesëmarrjen në takim edhe të kryetarit të LVV dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
“Ju ftojmë të merrni pjesë në organizimin e rinisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! Ju lutemi konfirmoni pjesëmarrjen tuaj në koment ose porosi private”, thuhej në njoftimin e VV-së së Mitrovicës.
Veriu.info mëson se pakënaqësitë e strukturës së Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë me koordinatorin e qendrës, Armend Muja, ka bërë që të ketë bojkotim të madh të këtij takimi.
Nga mijëra anëtarë të moshës rinore që ka Lëvizja Vetëvendosje në Mitrovicë, siç shihet në fotot e publikuara nga Armend Muja, janë vetëm rreth 20 të rinj, përderisa ishin edhe rreth 20 pjesëmarrës tjerë ku përfshihen kryeministri Albin Kurti, ministri Armend Mehaj, deputetët Adnan Rrustemi, Armend Muja e Arjeta Fejza, asambleistët Armend Begu e Kushtrim Zeneli, ish nënkryetari i LVV në Mitrovicë, Alban Uka, ish asamblistja Edona Bajrami, ish drejtoresha komunale, Nazan Kërveshi, dhe pjesa tjetër ishin zyrtarë administrativ të Qeverisë dhe LVV-së.
Pra, nga 22 580 votues, prej tyre mijëra anëtarë e aktivistë të rinisë, në takimin e thirrur nga Armend Muja morën pjesë vetëm rreth anëtarë të rinisë së LVV-së, në ardhjen e të cilëve sigurisht që ka meritë edhe lideri i LVV, Albin Kurti.
Duke parë pjesëmarrjen e ulët në takim, koordinatori i LVV në Mitrovicë, Armend Muja, në postimin e bërë ka thënë se takimi është organizuar në lagjen Ilirida, duke lënë indirekt të nënkuptohet se takimi është organizuar për të rininë e kësaj lagjeje. Por në njoftimin e LVV ng Facebook, shihet se takimi është thirrur për gjithë rininë e këtij subjekti politik në Mitrovicë.
“Rinia e Mitrovicës me Lëvizjen: dje në lagjen Ilirida është organizuar tubim me të rinjët mbi procesin e zgjedhjeve të brendshme në Lëvizjen VETËVENDOSJE! Ftohen të rinjtë, djem dhe vajza, të anëtarësohen dhe kandidojnë për kryesi, kryetar dhe delegatë të nivelit të parë, pikat e lagjeve të Mitrovicës.”, thuhet në postimin e Armend Mujës.
Ndryshe, edhe pse takimi është organizuar në lagjen më të madhe të qytetit, në takim nuk kanë marrë pjesë anëtarët e LVV nga grupi i të rinjve “Tavnik City”, që është grupimi më i madh i të rinjve në qytet, e të cilët njëzëri e kishin mbështetur Armend Mujën në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Veriu.info mëson se si pasojë e ndasive brenda LVV në Mitrovicë, para pak ditësh ka dështuar edhe kuvendi zgjedhor në fshatin Bajgorë në mungesë të pjesëmarrësve në takim.












