Kryeministri në largim, Albin Kurti, më 3 prill takoi krerët e partive të komunitetit joshumicë joserbe, në tentativën e tij për të marrë mbështetjen nga ata për formimin e Qeverisë së re. Megjithatë, jo nga të gjithë mori një “po” të sigurt meqë disa patën kushte për të. Tri ditë më pas, më 6 prill, pas një mbledhje të Këshillit të Sigurisë, Kurti doli me një komunikatë ku tha se ishte informuar nga institucionet e sigurisë se Serbia po ndërhyn te disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë e joserbë, që ta sabotojnë themelimin e institucioneve të reja.
Këtë e forcoi vetë Kurti po atë ditë kur konstatoi se “në shënjestër janë disa deputetë të pakicave joserbe.
“Institucionet e sigurisë kanë informacion të konfirmuar lidhur me këtë dhe kjo ishte njëra ndër çështjet që shqyrtuam në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurisë së Kosovës” tha ai.
Se kush janë këta deputetë, nënkryetari i Vetëvendosjes Glauk Konjufca e cilësoi “informacion të klasifikuar”.
Ai pas takimit që pati me subjektet politike ku prezentë ishin edhe deputetët e zgjedhur nga komuniteti joshumicë, përveç atyre të Listës Srpska, u pyet nga gazetarët se kush ishin ata deputetë përmes të cilëve po ndërhyn Serbia “për sabotimin e themelimit të institucioneve të reja”.
Konjufca tha se “një gjë duhet të dihet” se liderët e vendit asnjëherë nuk japin informacione të tilla nëse paraprakisht nuk i është kumtuar diçka e tillë nga institucionet e sigurisë së vendit.
“Ju një gjë duhet ta keni parasysh sa herë të dalim – edhe mua më ka ndodhur ndonjëherë kam bërë konstatime të tilla – asnjëri prej krerëve të shtetit kur bën konstatime të tilla, nuk janë ato për shkak mendimeve personale, për shkak të spekulimeve apo për shkak të shprehjes së ndonjë dëshire. Këto ndodhin vetëm kur ne bazohemi në informata 100% të sakta të institucioneve tona shtetërore, të sigurisë dhe të inteligjencës. Këtë duhet ta keni parasysh. Kryeministri nuk fol në hava e në ajër ashtu, kryeministri fol vetëm i bazuar në informacione të sakta.
“Cilat parti po ndikohen nga Radoiçiqi?”, u pyet më konkretisht Konjufca.
“Ky është me siguri informacion i klasifikuar”, tha ai.
Zyra e Kryeministrit më 6 prill lëshoi një komunikatë për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës.
Aty u tha se ka deputetë të partive joshumicë joserbe që përmes të cilëve Serbia po ndërhyn në Kosovë me qëllim të “eksportimit të krizës” në Kosovë me sabotimin e institucioneve të reja.
“Në këtë mbledhje u konstatua se përveç ndërhyrjeve të Serbisë në fushatën zgjedhore dhe në zgjedhjet parlamentare në Kosovë të 9 shkurtit 2025, përmes Listës Serbe dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq si kryetar “de facto” i saj, Serbia tash po ndërhyn te disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë e joserbë, që ta sabotojë themelimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë. Me kërcënime e joshje, dhe sidomos me shantazhe, ajo po orvatet që nxis tensione ndëretnike e ndërpartiake në Kosovë dhe ta destabilizojë Kosovën. Kjo paraqet ndërhyrje flagrante ndaj sovranitetit shtetëror, funksionimit demokratik dhe integritetit institucional të vendit tonë”, u tha në këtë komunikatë.
Deri më tani për këtë çështje kanë folur dy deputetë të zgjedhur.
Boshnjakja Duda Balje dhe gorani Ademi Hoxha.
Balje paraprakisht ishte akuzuar nga analisti Sadri Ramabaja se ajo kishte zhvilluar “një takim me Radoiçiqin më 28 shkurt”.
Këtë akuzë përveçse e mohoi, ajo paralajmëroi padi ndaj tij, ndërsa tha se s’mund të jetë kundër komunitetit të saj boshnjak.
“U befasova dje dhe krejt çka mund të them është se familja ime ka folur me avokat dhe do të fillojmë procesin gjyqësor për deklaratat që ka pasë. Unë me thënë shumë haptas para krejt Kosovës. Unë për formimin e qeverisë kam pasë veç dy takime. Takimin e parë e kam pasë me zotëri Xhelal Sveçlën në Prizren dhe takimin e dytë e kam pasë me zotëri kryeministrin”, tha Balje për Indeksonline.
Ajo po insiston në kërkesën e saj për një komunë boshnjake, të cilën edhe ia kishte prezantuar Kurtit në takimin në Kryeministri. Balje thotë se kjo s’është kërkesë personale e saj, por e qytetarëve të komunitetit të saj.
Ndërkaq, Hoxha – i cili në të kaluarën ka qenë pjesë e Grupit Parlamentar të Listës Serbe – e mohoi se ka pasë ndonjë lloj trysnie nga “Serbia apo kushdo qoftë”, ndërsa për votën nëse do t’ia japë Kurtit ose jo tha se ende është në pikëpyetje.
“Mua nuk me pengon Kurti dhe askush. Por, e kam vendosur pikëpyetjen [për mbështetjen], marrë parasysh përvojën që e kemi pasur me kryeministrin Kurti në katër vjetët e kaluara”, theksoi Hoxha për Radion Evropa e Lirë.













