Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla i ka reaguar mbrëmjen e sotme Serbisë, lidhur me presionin e ushtruar ndaj Sudanit pasi njohu pavarësinë e Kosovës.
Gërvalla ka bërë të ditur se këto veprime të Serbisë, bien ndesh me marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe Aneksit të Ohrit.
”Kjo deklaratë përbën një shkelje të qartë dhe të papranueshme të detyrimeve të Serbisë sipas Marrëveshjes së Brukselit të lehtësuar nga BE-ja në shkurt 2023 dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit të marsit 2023. Më tej, kjo paraqet një përpjekje të papranueshme për të ushtruar presion ndaj qeverisë sovrane të Sudanit, duke cenuar të drejtën legjitime të këtij shteti për të marrë vendime të pavarura në kuadër të politikës së jashtme.” ka shkruar ministrja.
Tutje Ministrja, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe komunitetit ndërkombëtar që të adresojnë shkeljet e vazhdueshme të Serbisë dhe të sigurojnë zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit.
”Ne i bëjmë thirrje Bashkimit Evropian dhe komunitetit ndërkombëtar që të adresojnë shkeljet e vazhdueshme të Serbisë dhe të sigurojnë zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit. Refuzimi i Serbisë për t’i nënshkruar formalisht këto marrëveshje, i shoqëruar me deklaratat publike të vazhdueshme që mohojnë vlefshmërinë e tyre juridike ka mundësuar një model të vazhdueshëm moszbatimi. Kosova ka paralajmëruar prej kohësh për këtë rrezik dhe ka kërkuar vazhdimisht mekanizma formalë për të siguruar llogaridhënien.” ka shkruar Gërvalla.