Lista Serbe ka thënë se nuk do ta votojnë Qeverinë Kurti, “janë gënjeshtër e pastër”, shkruan Sinjali.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Lista Serbe reagoi duke thënë se sipas tyre për një gjë të tillë janë të vetëdijshëm edhe Lëvizja Vetëvendosje, teksa shprehen se “gënjeshtrat që i postojnë dukshëm i shërbejnë në lojërat e tyre të brendshme”.
“Duke marrë parasysh deklaratat që vijnë nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Kurtit, publikisht dëshirojmë të theksojmë se mbështetja e pretenduar për përfaqësuesit e Listës Serbe është gënjeshtër e pastër. Ndoshta është dëshira e tyre, një insinuatë apo diçka e tretë, por e përsërisim qartë dhe publikisht se nuk është e vërtetë”.
“Ne jemi absolutisht të sigurt se për këtë janë të vetëdijshëm edhe përfaqësuesit e Vetëvendosjes, por gënjeshtrat që i postojnë dukshëm i shërbejnë në lojërat e tyre të brendshme, prandaj i refuzojmë publikisht”, thuhet mes tjerash në reagimin e Listës Serbe në Faceebook.
Ky reagim i Listës Serbe vie pasi Kryetarja e “GUXO”, Donika Gërvalla-Schwarz tha se ekziston rreziku që deputetë të Listës Serbe të votojnë Qeverinë Kurti, për ta diskredituar koalicionin.