Një aksion i policisë është zhvilluar në qytetin e Leposaviqit pas dyshimeve për organizim të veprimtarisë së paligjshme të bixhozit, ku është zbuluar një kioskë që funksiononte në mënyrë të jashtëligjshme.
Burime të Gazetës Sinjali bëjnë me dije se aksioni është ndërmarrë më 17 prill në rrugën “24 Nëntori”, ku njësitë hetimore të DRP-Mitrovicë Veri dhe SP-Leposaviq, pas informatave operative, kanë kryer kontroll në një kioskë që dyshohej se po përdorej për zhvillimin e lojërave të fatit në mënyrë të kundërligjshme.
Gjatë kontrollit janë gjetur pajisje elektronike dhe materiale që dëshmojnë organizimin e aktiviteteve të tilla, përfshirë pajisje për shtypjen e tiketave, dokumentacion me mbishkrime të lotarisë së Serbisë, si dhe një sasi e konsiderueshme e valutës serbe.
Prokuroria ka autorizuar inicimin e rastit si “Organizim i Skemave Piramidale dhe Bixhoz i Paligjshëm”.
Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht mënyrën e funksionimit të kësaj veprimtarie dhe personat e përfshirë.