Komuna e Drenasit që udhëhiqet nga kryetari Ramiza Lladrovci në gusht të vitit 2023 e kishte shpërblyes me kontratë grupin e operatorëve ekonomik “LimitProject” Sh.P.K., “AR Construction23” Sh.P.K. në tenderin me titull “Ndërtimi i parkut dhe shtigjeve për këmbësor, biçiklist në parkun e Kamenicës Drenas”. (Këtu: Kontrata e nenshkruar 01.08.2023 LLOT I I dhe Kontrata e nenshkruar 01.08.2023 LLOT II)
Ky grup i operatorëve që lider ka kompaninë “LimitProject” Sh.P.K., duke u shpallur fitues në të dy lotet të tenderit që ishin në vlerë mbi 640 mijë euro, ani pse në lotin 2 një operator ekonomik kishte ofertuar me çmim dukshëm më të ulët, raporto Veriu.info.
Ky projekt ishte paraparë më kontratë të realizohej për dy vite. Por kur jemi afër përfundimit të afatit për realizimin e projektit, Komuna e Drenasit ka nënshkruar dy aneks-kontrata me Lulzim Zarajn – përfaqësuesin e këtij grupit të operatorëve ekonomik.
Nga dokumentet që ka siguruar Veriu.info, shihet se për kontratën “Lot I”, Komuna e Drenasit i ka dhënë grupit të operatorëve ekonomik “LimitProject” Sh.P.K. & “AR Construction23” Sh.P.K. edhe 26 mijë 511 euro, ndërsa për kontratën “Lot II”, i ka dhënë edhe 31 mijë 945 euro punë shtesë. (Këtu: Aneks – Kontrata e nenshkruar – LOT I dhe Aneks – Kontrata e nenshkruar – LLOT II)
Pra, grupit të operatorëve ekonomik “LimitProject” Sh.P.K. & “AR Construction23” Sh.P.K. për realizimin e këtij projekti nuk i kanë mjaftuar 640 mijë euro sipas dy kontratave të nënshkruara më 1 gusht 2023, por është shpërblyer edhe me 58 mijë euro shtesë, që në total e ngrit vlerën e projektit në 700 mijë euro, duke e rënduar buxhetin e komunës që mbushet nga parat e taksapaguesve.
Kush është “LimitProject” Sh.P.K.?
Nga të dhënat që kemi gjetur në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, “LimitProject” Sh.P.K. është kompani e regjistruar në Prishtinë me pronar Lulzim Zaraj dhe Faton Ramadani. Kapitali themelues i kompanisë ishte 1 mijë euro, ndërsa në ARBK figuron se e ka vetëm një punëtor.
Nga hulumtimi ynë, kemi gjetur se njëri prej bashkëpronarëve, Faton Ramadani, është person shumë i afër me kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovci, gjë që shihen foto e tyre ndër vite në rrjete sociale.
Foto: Ramiz Lladrovci dhe Faton Ramadani