Dhuna në familje, kushtet e jetesës, rrethanat ekonomike, e depresioni shpesh janë vlerësuar shkaktarë që kanë çuar drejt vetëvrasjes e tentimit për ta kryer këtë akt. Familjet janë ato që i përjetojnë jashtëzakonisht rëndë këto raste dhe janë me fat kur arrijnë t’i shpëtojnë familjarët.
Kështu ka ndodhur së fundmi në rrugën “Mazllum Canhafizi”, në Gjakovë, ku një i ri tentoi t’i jap fund jetës së tij, raporton Sinjali.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për një 29-vjeçar, i cili ka tentuar të vetëvritet duke konsumuar “domestos”, me qëllim për të shkaktuar dëme të rënda në trupin e tij, por fatmirësisht ka shpëtuar.
Policia ka ndërhyrë menjëherë pas një thirrjeje urgjente nga Qendra Emergjente, dhe i riu është dërguar në spital ku është mbajtur nën mbikëqyrje shëndetësore. Gjendja e tij është stabilizuar dhe nuk është më në rrezik për jetën.
Lidhur me rastin, Policia ka intervistuar vëllain e viktimës, i cili ka treguar se kishte dëgjuar të riun duke thënë: “Dua ta vras veten time sepse mu ka mërzit jeta.”
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar ‘Vetëvrasje në tentativë’ dhe kanë nisur hetimet që zbardhin motivet dhe rrethanat e rastit.
Ky rast është një tjetër thirrje alarmi për nevojën e mbështetjes psikologjike dhe sociale, veçanërisht për të rinjtë që përballen me sfida të rënda emocionale.
Gazeta Sinjali i inkurajon të gjithë qytetarët që përballen me gjendje të rënda emocionale të kërkojnë ndihmë dhe të mos mbesin vetëm.