Një akt i zjarrvënies së qëllimshme ka tronditur Fushë Kosovën në orët e para të mëngjesit të 17 prillit, ku një person i paidentifikuar atëherë kishte shkaktuar dëme materiale në një biznes privat.
Siç mëson Gazeta Sinjali, pronari i marketit “Stina” ka njoftuar Policinë për rastin e zjarrvënies, duke treguar se një person i veshur me të zeza ka vënë flakën disa pakove letrash para lokalit. Nga zjarri, flaka u përhap shpejt, duke kapluar qadrën, thyer xhamat dhe shkaktuar dëme të konsiderueshme, që kapin një vlerë mbi 1000 euro.
Pas hetimeve intensive, Policia e Kosovës arriti të identifikojë dhe arrestojë të dyshuarin.
Por, Gazeta Sinjali si gjithnjë mëson ekskluzivisht se i dyshuari për rastin është Bajram Berisha.
Gjatë intervistimit, Berisha ka mohuar çdo përfshirje në zjarrvënie, duke pretenduar se ka qenë në gjendje të dehur dhe nuk mban mend asgjë nga ngjarja.
Lidhur me rastin, është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që rasti të iniciohet si “Zjarrvënie”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, për t’u përballur me pasojat ligjore në vijim.
Gazeta Sinjali do të sjellë të gjitha zhvillimet rreth këtij rasti që fatmirësisht nuk përfundoi me pasoja më të rënda.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tjj të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.