Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen të zhdukur. Shumë shpesh angazhohen edhe njësi e grupe vullnetare që të zbulojnë gjurmët e personave që nuk dihet asgjë për fatin e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit në Prokurori bëjnë me dije se bëhet fjalë për zhdukjen e Medinë Hasanit, e lindur më 27 prill 2007, e cila nga data 24 prill 2025 nuk është kthyer më në shtëpi.
Sipas familjarëve, 17-vjeçarja është parë për herë të fundit në rrugën për në lagjen Ulpiana në Prishtinë, pasi ishte nisur nga shkolla “Rezonanca” në Veternik.
Prej asaj dite, as familja e as të afërmit nuk kanë pasur më asnjë kontakt me të.
Në momentin e zhdukjes, Medina kishte të veshura: Pantallona të zeza, maicë ngjyrë hiri dhe xhaketë, ngjyrë portokalli.
Lidhur me rastin janë njoftuar edhe Policia e Prokuroria, ku kanë hapur rastin “Person i Zhdukur” dhe njësitet e hetimeve janë angazhuar intensivisht për gjetjen e saj.
Nëse keni ndonjë informacion që mund të ndihmojë në gjetjen e Medinës, ju lusim që të kontaktoni Policinë e Kosovës ose redaksinë e Sinjalit.
Çdo ndihmë, çdo informacion, mund të jetë vendimtar.
Bashkë t’i japim një mundësi shprese kësaj familjeje!