Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar me tone të ashpra ndaj asaj që e quan bllokadë institucionale ndaj projekteve zhvillimore në Prishtinë.
Ai ka akuzuar një komision në një ministri, të përbërë sipas tij nga inspektorë partiakë dhe të motivuar politikisht, për tentim të ndaljes së punimeve në sheshe dhe rrugë kyçe të kryeqytetit, nën arsyetimin e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.
“Trashëgimi ky asfallt gërmadhë?!” pyet Abdixhiku me ironi, duke theksuar se puna nuk do të ndalet dhe se Prishtina do të vazhdojë drejt transformimit të saj.
Ai përmendi një sërë projektesh të bllokuara më herët, përfshirë Sheshin George Bush, mbikalimin në Dragodan, nënkalimin te Kuvendi dhe Unazën e Jashtme, duke i cilësuar këto si dëshmi të një qasjeje bllokuese e të dëmshme ndaj qytetit.
“Duhesh të urresh shumë një qytet të tërë për ta bllokuar kaq shumë,” shkroi Abdixhiku, duke shtuar se përkundër pengesave, qyteti do të ecë përpara.
“Prishtina do të fitojë – edhe tash, edhe në vjeshtë. Puna do të vazhdojë!”
Shkrimi i plotë:
Bllokues në shtet.
Bllokues në punë!
Sot, Komuna e Prishtinës, i dha përgjigje dinjitoze bllokuesve të punës. Vazhdoj me punë! Një Komision, diku në një Ministri, me një a dy inspektorë partiak e idhnakë, vendosë të bllokojë një Kryeqytet të tanë, me arsyet e mbrojtjes së trashëgimisë.
Trashëgimi ky asfallt gërmadhë?!
Punimet vazhduan! Nuk do të ndalen!
Ai që ka mend punën nuk ndalet.
Prishtina, nuk ndalet!
Të paaftit dinë vetëm bllokadë! Për tre vite rresht kanë bllokuar në vazhdimësi Sheshin George Bush për një trashëgimi, mbikalimin në Dragodan po ashtu për trashëgimi; nënkalimin te Kuvendi sërish dhe natyrisht për trashëgimi.
Kanë bllokuar Rrugën A për një rast të humbur në fund në gjykatë; Unazën e Jashtme me mos aprovim të një kredie pothuajse falë; Planin Zhvillimor Komunal me interesa të përçudnuara bizneso-partiake, e tatimet vetanake me ligje anti-kushtetuese!
Duhesh të jesh vërtet i mbrapshtë për një sjellje të tillë. Duhesh të urresh shumë një qytet të tërë për ta bllokuar kaq shumë!
Prishtina do të fitojë.
Edhe tash, edhe në vjeshtë!
Puna le të vazhdojë!
Puna, do të vazhdojë! Kjo gërmadhë shpejtë do të shndërrohet në një ndër sheshet më ikonike në vend!