Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i është kundërpërgjigjur ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, pas akuzave se tenderi 18-milionësh për rregullimin e sheshit “Xhorxh Bush” është shpallur në kundërshtim me ligjin.
Murati ka thënë se Komuna ka nënshkruar kontratën pa pasur buxhetin e ndarë për projektin, ndërsa ka ngritur dyshime për ligjshmërinë e procesit.
Në reagimin e tij, Rama e ka akuzuar Muratin se po bllokon me qëllim alokimin e buxhetit për vitin 2025, i cili është miratuar nga Asambleja Komunale.
Ai ka publikuar edhe një email ku i kërkohet zyrtarisht Ministrisë së Financave që të bëjë alokimin.
“Hekuran, duke qenë se prapë iu paske bashkuar shokëve të partisë në aksionin për “bllokim”, ju lutem gjeni pak kohë të shikoni emailin që ju kemi dërguar, dy ditë më parë! Për herë të dytë, ta kemi dërguar kërkesën urgjente për alokimin e buxhetit të Kryeqytetit për vitin 2025, të miratuar nga Asambleja e Kryeqytetit, e që ti vazhdon ta bllokosh. Ti po rrezikon që qytetarët e Kryeqytetit të mbeten pa shërbime elementare ndaj tyre! Kryji punët e tua!” ka shkruar Rama.