Xhavit Haliti nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk prish punë asgjë nëse kryetari i këtij subjekti politik ose kushdo nga kryesia shkon në takimin konsultativ të thirrur nga kryeministri në detyrë Albin Kurti me qëllim të konstituimit të Kuvendit të ri.
Megjithatë, sipas Halitit problemi qëndron në atë se çfarë përgjigje do t’i ipet Kurtit dhe në atë se çfarë do të ofrojë ai.
“PDK nuk prish punë nëse shkon në takim kryetari i PDK-së, ose atë që e autorizon kryesia. Problemi është se çfarë përgjigje do t’i jepet Albinit dhe çfarë do të ofrojë ai”, ka thënë ai në Tëvë1.
I pyetur se si e ka parë ftesën për konsultime të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti drejtuar kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ai ka thënë se ishte jo e ngrohtë.
Për Halitin një ftesë e presidentes Osmani do të ishte shumë më e pranueshme dhe sipas tij do të ndikonte që edhe përgjigjja të ishte pozitive nga të gjithë.
“Eshtë disi jo e ngrohtë ftesa, nuk është e ngrohtë sepse secili subjekt ka integritetin e vet secili kryetar partie ka përgjegjësitë e veta para elektoratit të vet dhe partisë së vet dhe unë do e shihja disi më të pranueshme që të gjitha partitë të shkonin në zyren e presidentes, jo që të jetë nikoqire presidentja por të jetë prezente ndoshta do ta kishin më lehtë ta kthenin përgjigjen pozitive dhe të uleshin bashkë. Mendoj që ftesa e presidentes do të ishte shumë më e pranueshme dhe po besoj që edhe përgjigjja do të ishte pozitive nga të gjithë pothuajse”, ka deklaruar ai.