Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar kontributin e punëtorëve dhe ka theksuar përkushtimin e Qeverisë për përmirësimin e kushteve të tyre.
Ai ka thënë se kjo ditë është simbol i përpjekjeve dhe arritjeve të punëtorëve.
“Edhe Kosova, sikurse mbi 100 vende të botës, e shënon 1 Majin si ditë pushimi – një ditë që është fituar nga vetë punëtorët”, ka shkruar Kurti në postimin e tij.
Ai shtoi se kjo ditë është simbol i përpjekjeve dhe arritjeve të punëtorëve, që, pavarësisht gjuhëve apo flamujve, janë të bashkuar në klasë, status dhe qëndresë.
Kurti vuri në dukje se strategjia qeveritare është e ndërtuar mbi dy shtylla: rritjen e punësimit dhe sigurimin e dinjitetit në punë. Sipas tij, sa më i madh punësimi, aq më e vogël mundësia e shfrytëzimit dhe presionit ndaj punëtorëve. Rritja e punësimit, tha ai, sjell zhvillim ekonomik dhe përmirësim të mirëqenies sociale.
Kurti përmendi disa prej rezultateve konkrete gjatë mandatit të tij, përfshirë:
- Uljen e papunësisë në më pak se 11%;
- Rritjen e pagës minimale në sektorin privat deri në 350 euro;
- Subvencionimin e pagave për mijëra punëtorë;
- Punësimin e të rinjve përmes platformës “Superpuna”;
- Rritjen e inspektimeve në vendin e punës si rezultat i shtimit të inspektorëve.
Në fund, Kurti theksoi nevojën për një rol më të fuqishëm të sindikatave, të cilat, sipas tij, duhet të përfshijnë më shumë punëtorë dhe të lidhen më ngushtë me rrjetet evropiane për të garantuar të drejtat dhe liritë e punëtorëve.
“Përkundër progresit, rruga nuk është mbyllur – do të vazhdojmë me përkushtim që punëtorët e Kosovës të kenë punësim të qëndrueshëm, pagë të drejtë dhe kushte të denja pune”, shkroi Kurti./IndeksOnline/